Drejtori i “Konica.al”, Shpëtim Nazarko, i ftuar në emisionin “Arena” të Dritan Hilës në “Ora News”, pohoi edhe një herë tjetër se kryeministri Rama reflekton sukses në politikën e jashtme. Duke bërë një paralelizëm, sipas analistit, tek Rama mishërohen cilësitë më të mira të Ahmet Zogut në diplomacinë e jashtme dhe oratoria e Fan Nolit.
“Për mendimin tim, sektori më i mirë ku Rama lundron shkëlqyeshëm, është politika e jashtme. Te Rama mishërohen cilësitë më të mira të Ahmet Zogut në diplomacinë e jashtme, dhe oratoria e Fan Nolit”.
Nazarko u ndal edhe në një çështje tjetër, me theks të veçantë në realizimin e projekteve dhe sa fuqi ka vendi ynë. Edhe për këtë ai e ka një tezë, e cila lidhet me mungesën e arsimit profesional.
“Ne jemi të dobët në bërjen e projekteve, dhe kjo lidhet me shumë gjëra që kanë lidhje drejtpërdrejtë me integrimin.
Në qoftë se përpara disa ditësh në Serbi, Gjermania investoi një fabrikë me 11.500 punëtorë, dhe ne nuk po ashtu, kjo s’ka të bëjë me inatin që ka Europa ndaj nesh, por me pafuqinë tonë për të krijuar potencë, jo vetëm në projekte, por energji, në ujë, në prona, procese gjyqësore etj. Ne nuk kemi fuqi projektuese, por edhe sikur të kishim, do ishte shumë fuqi e pakët, sepse nuk kemi arsim profesional”.