MENU

In Memoriam

Një shekull për t’u riparë me At Anton Harapin

31.07.2018 - 17:13

At  Anton Harapi ishte nga ata atdhetarë që mendonin se edhe në varr, shqiptarët duhet të ishin gur për themelet e forta të Shqypnisë, të atij vendi për të cilin klerikun françeskan la eshtrat vetëm sepse besonte në Zot. Figura e tij si mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar ka lënë pas një vepër të shquar në publiçistikë të pagëzuar me titullin “Vlerë Shpirtërore”, ku ai iu drejtohet intelektualve korçarë më 1936, në dialektin e tyre, duke qenë vetë shkodran, për t’iu paraqitur sikurse thuhet në vepër “botën shqiptare në një gotë me ujë”

Pozitiv, nga ata që shihnin gjysmën e gotës plot edhe përpara vdekjes, At Anton Harapi është kujtuar nga shqiptarët e Tuzit të Malit të Zi në 100 vjetorin e vizitës së tij në vendin fqinjë. Liqenin e Shkodrës e kaluan përmes një udhëtimi simbolik me anije disa shqiptarë të Tuzit, mes tyre edhe Pashko Gojcaj, famulltari i Tuzit. Për miqtë shqiptar nga Mali i Zi udhëtimi u cilësua unik, për shkak edhe të emocioneve të përjetuara në këtë takim që shërbeu për të risjellë në kujtesë kontributin e padër Anton Harapit, i ekzekutuar pas vendimit të dënimit me vendje në 19 shkurt të vitit 1946, kur u shpall nga një Gjykatë Speciale në Tiranë si kriminel lufte dhe armik i popullit.

Në rolin e mikëpritësit, kompozitori Zef Çoba u kujdes t’i dhuronte shqiptarëve të Tuzit një ikonë të kristaltë të atdhetarit Dedë Gjo Luli. Takimi shërbeu edhe si mundësi për të këmbyer ide të ndryshme për zhvillimin e bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy qyteteve që shtrihen përgjatë liqenit sikurse mundësia e ndërtimit të një linje ujore e cila do të ndihmonte në përmirësimin e komunikimit mes tyre.

Tuzi varej nga Bashkia e Podgoricës dhe, prej më shumë se një çerekshekulli, popullsia shqiptare dhe faktori politik shqiptar në Mal të Zi kërkonin që të ishin një komunë më vete me të drejta të plota. Tashmë prej votimit në parlamentin e Malit të Zi vitin e kaluar, Tuzi u shpall komunë më vete duke u renditur e dyta me shumicë shqiptare në territorin malazez.