MENU
klinika

Shkodra në retrospektivë

158 vite në celuloid

25.08.2018 - 12:59

Brenda mureve të fototekës kombëtare “Marubi” mund të kundrosh historinë e një shekulli e gjysëm. Për këtë nuk duhet makina e kohës, por veç të kundrosh mbi 500 mijë negativë të fotografive të shkrepura nga mjeshtërit e kohës të dinastisë Marubi duke nisur që nga viti 1858. Një thesar i paçmuar kulturor që Shkodra e var si medaljon të çmuar në gjoksin e saj.

I rikonstruktuar rishtazi, Muzeu ruan arikekturën e banesave të famshme buzë pedonales së Shkodrës. Në muret, fill pas pragut të muzeut, mund të nisësh të dallosh një duzinë fotografish bardh e zi, me korniza të errëta, ku spikasin portrete të bujqve shqiptarë nga malësia me revole dhe plisa; gra katolike dhe muslimane me veshjet e tyre karakteristike; pamje të Shkodrës një shekull më parë që ngjasojnë më shumë me kryeqendrat perëndimore përtej detit, drejtues politik të kohës duke nisur që nga fundi i shekullit të XIX-të e deri në luftën e dytë botërora.

Por si lindi gjeneza e kësaj tradite të mirënjohur fotografike që u la shqiptarëve një thesar të tillë të trashëguar ndër breza?

Për ata që ende nuk e dinë, Pietro Marubi lidhet me zanafillën e kësaj inisiative. I lindur në fillim të viteve 1830, në Piacenza të Italis, Pietro ishte jo vetëm një artist figurativ i lidhur me skulpturën dhe pikturën por edhe një përkrahës i Xhiuzepe Garibaltit, patriotit që do të bashkonte në një të vetëm kombin italian. Kur në vitin 1849 Garibaldi humbi kundër trupave franceze, Marubi vendlindjen e tij dhe përmes Korfuzit ai shkel në tokën shqiptare. Nga ku drejtohet për në Shkodër. Asokohe qyteti ishte qendër kulturore dhe për një artist kjo ishte një arsye më shumë për t’u ndjerë si në qytetin e tij. Kështu Marubi u shpërngul këtu dhe u martua me një grua me emrin Marietta, e cila po ashtu rridhte nga Italia. Ai e ndërroi emrin nga Pietro në Pietër, duke u natyralizuar si shqiptar.

“Në një histori 158 vjeçare normalisht që ka shumë për të treguar, duke filluar që nga periudha e gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të dhe deri në fundin e shekullit XX-të. Sigurisht që arkivi i Fototekës është shumë i pasur. Pas vitit 1970 arkivi u pasurua edhe me fotografi të tjera, ku krahas fotografëve të dinastisë Marubi, kontribuan edhe fotografë të tjerë si Jakova, Bici, Voci dhe Kodheli, etj, duke bërë që ky institucion të ketë vlera të rëndësishme”- shprehet drejtori i Fototekës Kombëtare “Marubi”.

Fale një investimi të Ministrisë së Kulturës, në tetor të vitit 2015 u inaugurua edhe Muzeu Virtual Marubi. Ai përfshin rreth 100.000 fotografi të shkrepura gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Projekti konsistoi në arkivimin, katalogimit dhe dixhitalizimin e arkivës fotografike të Fototekës Kombëtare “Marubi” dhe krijimin e një faqeje online për promovimin dhe prezantimin e këtij koleksioni të vyer fotografik për të gjithë vizitorët, të cilët dëshirojnë për të zbuluar më shumë rreth identitetit kulturor dhe historisë së Shqipërisë.

Sot, ky muze që mbart historinë e një qyteti, vizitohet nga qindra vizitorë në ditë, ku ndër më të interesuarit mbeten francezët dhe italianët.