80-të qendra shëndetësore do të rikonstruktohen në të gjithë Shqipërinë. Mësohet se rikonstruksioni i tyre do të përfundojë brenda vitit.
Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve në Qendrën Shëndetësore nr. 10 në Tiranë.
Sipas ministres këto ndërhyrje po bëhen në kuadër të qeverisë për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore në 4 vite.
“Në kuadër të projektit tonë do të përmirësojmë shërbimet që ne ofrojmë për qytetarët në qendrat shëndetësore dhe pikat e ambulancave“, tha ministrja Manastirliu.
Ndërkohë sa i përket qarkut të Tiranës ministrja e Shëndetësisë u shpreh se po rehabilitohen 14 qendra shëndetësore dhe vetëm 9 prej tyre janë në territorin e Bashkisë së kryeqytetit.
“14 Qendra Shëndetësore do të jenë të rehabilituara në përfundim të këtij viti vetëm në qarkun e Tiranës, 9 qendra shëndetësorë në Bashkinë e Tiranës. Ka filluar rehabilitimi në qendrën shëndetësore nr 10, gjithashtu në një pikë të ambulancës së saj, në Qytetin e Nxënësve, në njësinë nr. 6, në Njësinë nr. 9, në qendrën shëndetësore nr 4. Gjithashtu dhe pikat e ambulancave të Kasharit, Ndroqit, Pezës të Madhe, do të jënë pjesë e projektit tonë të rehabilitimit të 80 qendrave shëndetësore, brenda vitit”. Ndërkohë, punimet kanë nisur tashmë në disa pika ambulancash në Bashkinë e Vorës, në Bashkinë e Kamzës, në Bashkinë e Kavajës dhe në Bashkinë e Rrogozhinës”, u shpreh Manastiriu.