MENU
klinika

Atraksion turistik

8100 vizitorë në Apolloni brenda 1 muaji

25.08.2018 - 12:32

Pas restuarimit, Parku i Apollonisë, vetëm 12 km larg Fierit, ka çelur zyrtarisht dyert për të gjithë turistët në muajin prill. Një vit më pas nga rihapja e tyre, duket se numri i vizitorëve ka pësuar një rritje të ndjeshme. Autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e këtij siti arkeologjik të Fierit tregojnë se fluksi i turistëve ka qenë i paprecedetë këtë sezon. Sipas të dhënave, numri i turistëve të huaj që e kanë vizituar vetëm brenda një muaji Parkun Arkeologjik të Apolonisë ka shkuar në 8100, mes tyre, shqiptarë dhe të huaj.

Si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, vitin e kaluar Parku i Apollonisë tërhoqi vëmendjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian duke ofruar rreth 1 milion euro investime, një paketë integrale që përfshiu ndërhyrjet në manastir, në galerinë e skulpturave, parkim, monumentet antike e deri tek pjesa teknike si kabina elektrike dhe depo e ujit.

Ky qytet i lashtë u formua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët grekë, që vinin nga Korinti. Apollonia kishte një rëndësi të veçantë dhe luajti një rol të madh si ndërmjetës tregtar mes helenëve dhe ilirëve. Ndërsa sot është një objekt me rëndësi historike, kulturore e turistike jo vetëm për Shqipërinë e shqiptarët, por për mbarë Europën.