MENU
klinika

Universiteti amerikan pa pagesë

A duhet të bëhet falas shkollimi për mjekët?

17.08.2018 - 19:33

Ky universitet amerikan e ka bërë ndjekjen e studimeve falas për studentët e tij të mjekësisë, pasi vlerëson se shoqëria ka nevojë për mjekët më të mirë të mundshëm, pavarësisht gjendjes së tyre financiare.

Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Nju Jorkut ka habitur studentët e tij këtë javë, duke njoftuar se çdo student aktual dhe i ardhshëm mund të trajnohet tërësisht pa pagesë.
Përpara këtij vendimi, kostot vjetore të studimeve për mjekësi arrinin deri në 55 mijë dollarë.
Shqetësimi i studentëve mbi huatë studentore është dëmtues për kujdesin shëndetësor, shprehen ekspertë të këtij universiteti, duke qenë se për të paguar borxhin, të diplomuarit zgjedhin specializime që japin pagesa të larta, në vend që të bëhen mjekë familjeje, apo pjesë e kujdesit shëndetësor primar, apo të merren me kërkime shkencore, kategori të cilat priren të gjenerojnë më pak të ardhura për të diplomuarit e kësaj fushe.
Kjo zgjedhje mbi specializimet e larta ka krijuar mungesë të mjekëve të përgjithshëm. Konkretisht, në vitin 2017, 75 për qind e studentëve të mjekësisë u diplomuan me një shumë mesatare borxhi 190 mijë dollarë.
Universiteti i Nju Jorkut është i vetmi universitet i renditur lart në listën e universiteteve më të mira për mjekësi që mbulon kostot e pagesës së studimeve pavarësisht nevojës së studentit.

Por studentët janë të detyruar t’i mbulojnë vetë kostot e jetesës, të cilat arrijnë deri në 30 mijë dollarë.
A duhet të jetë falas universiteti, pavarësisht vendit?