Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në një konferencë për mediat, ka sqaruar një bisedë të publikuar në media, mes tij dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku. Biba ka thënë se biseda e publikuar në formën e audiopërgjimit, është e prerë dhe e manipuluar, duke u shkëputur nga konteksti për t’ja servirur ndryshe publikut.
I akuzuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha se shantazhoi gjyqtarin Bianku me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrit Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, për të ndikuar tek kryetari i Gjykatës së Strasburgut, Biba thotë se PD ka për detyrë ta publikojë bisedën të plotë.
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot nënkryetar, ka thënë se me gjyqtarin Bianku ka lidhje familjare, por në asnjë rast s’ka kërkuar ndikimin e tij në Strasburg.
“Më ka thirrur Agaçi dhe në pozicionin e ekspertit të asistoj zotin Niko Peleshin dhe përfaëqësuesë të tjerë të asistonim zotin Peleshi me njohuritë tona, në një grup zyrtar në Gjykatën e Strasburgut për të shtyrë afatin. Ky veprim kishte ndodhur edhe më herët, ne kemi qenë bashkë me Peleshin dhe me të tjerë ku në kafenenë e Gjykatës takoj mikun tim, Ledi Bianku. Në atë bisedë fare miqësore s’bëhet fjalë për shantazhe, pasi ai është i pashantazhueshëm. Ai s’kishte gjë në dorë.
Është e paimagjinueshme për mua. S’ka asgjë për mua, më pyeti për karrierën, unë e pyeta. I kërkova një mendim, më pyeti pse isha unë pjesë e e delegacionit. I dhashë të dhënat, më dha mendimin e tij. Më ka pyetur si ka shkuar karriera ime, i thashë që isha vendosur në KQZ. I kam thënë që me porosi të kryeministrit, zoti Agaçi më ofroi të vija. Biseda është transformuar dhe është prerë. Ky është një manipulim i pastër. Është e pamundur që dikush të shantazhohet megjithëse s’ka asgjë në dorë.
Nuk mund të ndodhte. Mjafton të dalë biseda e plotë dhe e pacensuruar, dhe do kuptohet se ka qenë një bisedë mes dy miqsh, që diskutuan me njëri-tjetrin si do procedonte shteti shqiptar në këtë gjyq. Ta gjejë opozita të plotë audion e të dalë në konteksinë e saktë biseda. Në qendër të bisedës ishte fakti që unë kisha shkuar atje. Kush përfiton nga e gjithë kjo?”-tha Biba.
Më herët PD-ja akuzoi:
Audiopërgjimi, Basha: Qeveri mafioze, Agaçi dhe Biba t’i dorëzohen drejtësisë
Pas bërjes publike të një audiopërgjimi ku ish kryetari i KQZ Denar Biba në emër të sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaci dëgjohet duke shantazhuar gjyqtarin përfaqësues të Shqipërisë ne Gjykaten e Strasburgut, për të mbyllur problemin e pronave në këtë gjykatë ka reaguar edhe lideri i PD Lulzim Basha ne nje dalje per mediat.
“Jam këtu për të denoncuar një skandal të përmasave evropiane, se si gjyqtari shqiptar në gjykaten evropiane te te drejtave te njeriut shantazhohet në emër të Engjëll Agacit, sekretarit të përgjithshem dhe krahut të djathtë të Ramës që të ndikojë për të bllokuar vendimet për pronat sic kërkon qeveria e Ramës përbën provën më tronditëse të zbuluar në këto 28 vite. Fakton se qeveria funksionon si një organmizate tipike mafioze.
Audio regjistrimi i Denar Bibës, kandidat i Ramës për anëtar të Gjykates Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme se si e sheh dhe projekton Rama drejtësinë.
Me këtë gjuhë tipike mafioze i kujton gjyqtarit shqiptar ne Strasburg se mundësia për të bërë pazar me qeverinë nuk do i vijë më në jetë. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”.