MENU
klinika

Detajet

Djegia e makinës së nënkryetarit të Bashkisë Mallakastër, reagon Policia

26.08.2018 - 20:22

Pas videos së publikuar nga PD, ku shfaqen dy persona të cilët kanë djegur tre ditë më parë makinën e parkuar të Nënkryetarit të Bashkisë Mallakastër Hajredin Serjanaj, ka reaguar Policia e Shtetit.

PD shprehej më herët se policia kishte fshehur ngjarjen, ndërsa në reagimin e Policisë së Shtetit thuhet se ngjarja është bërë publike përmes dy informacioneve dhe materialet janë referuar në prokurori.

Sqarim i Policisë së Shtetit:

Në lidhje me një status të publikuar në rrjetet sociale nga deputeti E.Alibeaj me pretendimi se “policia ka fshehur ngjarjen ku është djegur makina e Nënkryetarit të Bashkisë Mallakastër”, sqarojmë se:

Në informacionin paraprak për mediat është dhënë njoftim se paraprakisht dyshohet se djegia e makinës ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet.

Pas hetimeve të kryera dhe kqyrjes së kamerave, ka rezultuar se djegia e makinës dyshohet se është e qëllimshme dhe për këtë janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Të dy informacionet, (informacioni paraprak edhe informacioni pas hetimeve) janë pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, konkretisht:

Në date 24 gusht 2018:

“Mallakastër

Informacion paraprak

Në datën 24.08.2018, rreth orës 02:35, në lagjen “29 Nëntori” Ballsh, është djegur mjeti tip BMW (i parkuar) në pronësi të shtetasit H.S (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh). Paraprakisht dyshohet se makina është djegur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”.

Njoftimi i datës 25 gusht 2018:

“Në vijim të veprimeve për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit në mjetin tip “BMW”, të shtetasit H.S., 37 vjeç (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh), u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal”.

Policia e Shtetit nen drejtimin e Prokurorise po vijon hetimet per zbardhjen e autoresise se ngjarjes.

Përgatiti M.H