Kjo që shihni në foto është Mrike Gjikola, një prej nënave që varrosi me duart e saj fëmijën e vdekur në kampin famëkeq të Tepelenës, për t’i dhënë një varr të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.
Ajo shpërtheu në lot ndërsa kujtoi të shkuarën aty, pasi u nderua me titullin”Për merita të veçanta civile” nga Presidenti i Republikës Ilir Meta bashkë me Drane Jakjën dhe Gjelë Gjikolën me të cilat ndau të njëjtën histori të humbjes së fëmijës aty.
Presidenti, Ilir Meta, ndërsa nderoi kujtimin e të internuarve dhe viktimave të kampit, kërkoi zbardhjen e të vërtetës për tu treguar të rinjve se nuk duhet të lejojnë kthimin e së shkuarës.
Meta: Kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.
Meta e vendosi theksin tek hapja e dosjeve por po ashtu kërkoi prej dhunuesve të diktaturës të kërkonin falje.
Meta: Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur. Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.
Regjimi komunist përndoqi në këtë kamp mbi 5 mijë persona ndërsa brenda tij humbën jetën rreth 300 fëmijë mes viteve 1949-1954.