MENU
klinika

Modernitet tregu

Të gjitha rrugët çojnë në Romë, po jo te Pazari i Ri i Erionit

18.08.2018 - 18:02

Të gjitha blerjet duhet të të çonin tek Pazari i Ri i Tiranës, i rikonstruktuar nga Bashkia e Tiranës, vend të bukur, i hijshëm për vizitorët, i domosdoshëm për blerësit dhe me larmi produktesh.

Me rregullimin e Pazarit të Ri në Tiranë, reklamimit që iu bë, historikun që ajo ka, të gjitha rrugët duhet të çonin domosdo patjetër tek Pazarin e Ri, si dikur rrugët e Perandorisë të çonin në Romë, në qendrën e saj dhe të gjithë ishin nënshtetas të saj.

Bashkia, pas çmimit prestigjoz të Barcelonës për sheshin Skënderbej si hapësira më e mirë publike e urbane në Europë për vitin 2018, krijon një xhevahir tjetër në Tiranë e vlerësuar nga një juri profesioniste ndërkombëtare.

Projekti i Rinovimit për vitin 2018 nga Emerging Europe Awards (EEA) në Londër, është marrë nga Bashkia e Tiranës për ‘’Pazarin e ri’’ dhe duhet të ishte ‘’një etalon i tregjeve të Tiranës’’ dhe udhërrëfyes i të gjithë tregjeve.

Vendi është i sistemuar ngjitshëm plot bukuri. Shumëllojshmëria e ngjyrave të fasadës të fton, është e ngrohtë, birraritë me kërnacka kundërbojnë, peshku të nxjerr mallin e detit, lokalet zgjerojnë klientelën e tyre si zgjoje bletësh, tregu i ri në qendër duket sikur zgjon nevojtarët me ardhje-ikjesh ngushticave të korridoreve të tendave të saj.

Dhe diçka, vendi është i qërruar, i pastër, nuk ka mbetje si në çdo lagje të Tiranës. Ambientit të këndshëm i shtohen edhe dy çezma uji ngjitur tregut të rikostruktuar që gumëzhojnë gjithë ditën duke freskuar vizitorët.

Puna për rikonstruktim e Pazarit të Ri ka zënë vend, por problemi është se dardha e ka bishtin gjithmonë prapa.

Në kompleksitetin e saj për shërbime tregtare Pazari i Ri në qëndër të qytetit duhet të bënte lakmitarë të gjithë qytetarë e fshatarë, por sidomos fshatarët. Ai duket sikur të ofron gjithçka me produktet e tij. Në fakt të ofron shumë e njëkohësisht nuk të ofron shumë.

Në disa raste të ofron shumë pak, dhe në disa raste të tjera të ofron shumçka dhe njëkohësisht asgjë. Për nga kërkesa hyrje-daljet janë me bollëk falë estetizimit të ambientit të këndshëm, nevojës për produkte dhe dëshirës për cilësi.

Për nga funksioni i tregut ai lë shumë për të dëshiruar. Ngelesh komod nga syri, por jo nga trastat.

Tregëtarët ofrojnë disa kategori shërbimesh, kategoria më e lakmuar është ajo e perimeve. Ndër të tjerash gushti, duhet të ofronte gamën e stërgjatshme të listës së perimeve dhe njëkohësisht has në disa problematika urgjente.

Shitësit vuajnë, o nga blerjet që bëjnë klientët, o nga tamaqarllëku për të pasur më tepër, megjithatë pashallarë nuk duken në pamje të parë. Janë të zellshëm, kuriozë. Në brendësi, në ardhacakët midis rreshtave nga blerësit shitësit kanë qëndrime paksa indiferente, të lodhura, ka raste të ftohta, ndonjëherë të ashpërta me klientin, ndonjëhërë prepotente. Sikur përtojnë të të kthejnë përgjigje. Si agallarë të munguar.

Një radhë të tjerë shitësish të ofron dialog për mallin, do të detyrojë ëmbël për reklamim. Megjithatë nuk mungojnë shumë tregtarë që dinë të sillen me edukatë, në pak raste ka tregtarë me kulturë të gjerë.

Në rrugën që futesh për në tregun e rikonsruktuar dyqanet e para të anës së majtë ngjitshëm të rreshtojnë produkte ushqimore të përpunuara, mbizotëron ulliri i Beratit me çmim 2500-3000 lekë të vjetra. Më tutje dyqani të fton në bulmetin e jugut, sidomos të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit.

Pak nga pak futesh te peshku i Vlorës. Sikur nxjerr gjoksin para për t’u mburrur me cilësitë e tij. Shumëllojshmëria e peshkut të stivosur po me çmime pak të kripura të pengon të shohësh më gjatë, thuhet se peshku me koncentrat rritet mirë po nuk ka shije.

Nuk shikohet dot me sy të lire, por do ekspert, ose specialistin e ushqimeve që di t’a kontrollojë mallin. Në krah të majtë ka sallammeri të prodhimeve të huaja nga më të ndryshme.