Policia shqiptare dhe ajo italiane në një operacion të përbashkët kanë sekuestruar 700 kg drogë dhe kanë vënë në pranga 2 shqiptarët që drejtonin skafin.
Sipas burimeve zyrtare, ditën e djeshme, Policia Kufitare e Vlorës mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është vënë në ndjekje të një mjeti detar, i dyshuar për trafik narkotikësh, duke njoftuar njëkohësisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për rastin.
Pasi kanë humbur kontaktet dhe mjeti në ndjekje hyri në ujërat ndërkombëtare, Policia Kufitare njoftoi autoritetet italiane dhe nisi koordinimi i veprimeve.
Në afërsi të lokalitetit Sant Andrea, Otranto, u bë i mundur sekuestrimi i mjetit në ndjekje, që drejtohej nga dy shtetas shqiptarë me iniciale D.G., 22 vjeç dhe A.R., 30 vjeç. Në skaf u sekuestrua rreth 700 kg marijuanë.
Janë në vijim hetimet në dy anët e Adriatikut për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku.
Përgatiti M.H