MENU
klinika

U vra në 2017 në Athinë

Kush ishte Roland Shembitrasi të cilit iu sekuestruan 1 mln euro

22.08.2018 - 18:21

Policia e Shtetit në një njoftim sot deklaronte se kishte për bërë sekuestrimin e disa llogarive bankarë të shtetasit R.Sh.

Më vonë u mësua se bëhej fjalë për biznesmenin e ekzekutuar disa muaj më parë në Greqi, në lokalin ku ai punonte, shtetasin Roland Shëmbitrasi.

Në atë kohë mediat greke shkruanin se ekzekutimi ishte i tipit mafioz, dhe vrasësit kishin komunikuar me viktimën.

Në qarqet e drogës, apo “mafia shqiptare” në Athinë sikurse i quan shtypi grek, Roland Shëmbitrasi njihej me nofkën “tenxherja”.

Ai është bashkëpronar edhe i tre lokaleve të tjera, dy prej të cilave janë luksoze dhe ndodhen në lagjen “Kalithea” të Athinës.

Në këto lokale nate shkojnë rregullisht këngëtarë të njohur grekë. Në vitin 2012, Shëmbitrasi ishte arrestuar nga policia pasi kishte punësuar një ekip prej 10 personash që shpërndanin kokainë me motora tek klientët VIP të 39-vjeçarit.

Atentati mafioz dhe biseda me vrasësin

Sipas mediave greke që shkruan për këtë ngjarje bëhej me dije se dy autorët u shfaqën në lokal dhe shkuan direkt tek tavolina ku po qëndronte 39-vjeçari shqiptar me miqtë e tij. Njëri prej tyre ju drejtua Shëmbitrasit me ton të lartë: “Mua do ma hedhësh”?

39-vjeçari iu përgjigj ashpër: “Ik mos të të fus ndonjë”!

Në këtë moment, dy atentatorët nxorrën armët dhe qëlluan me tre plumba Roland Shëmbitrasin duke e lënë të vdekur. Ndërsa mbetën të plagosur shqiptari tjetër Gjergji Kapaj që ishte në tavolinë dhe dy grekë, klientë të lokalit.

Policia greke dyshon se shqiptari është ekzekutuar pasi kishte marrë një sasi droge dhe nuk kishte paguar furnizuesit e tij.