MENU

Personazh i Qytetit

Për futbollin tabutë thyhen dhe në fshat

23.08.2018 - 15:47

Jubani është fshati që njihet jo vetëm për kalanë e famshme të Danjës, që u bë shkak i disa luftërave mes ushtrive të Gjergj Kastriotit dhe Venediktit, por edhe për futbollin. Kjo është zona e parë në Shqipëri ku vajzat luajtën futboll. Ishte Shtatori i vitit 2005, kur infermieri Ferdinand Jaku u komunikoi bashkëfshatarëve të tij, se do të krijonte një ekip profesionist futbolli femrash por anëtare të saj do të jenë vajzat e fshatit.

Në fillim e morën me të qeshur pasi nuk më besonin. Fredi të mblidhte vajzat e fshatit ?! Ishte e paimagjinueshme dhe asokohe kishte shume paragjykime. Në Shqiperi nuk imagjinoheshin femrat në fushën e futbollit” – tregon presidenti i ekipit, Ferdinand Jaku.

Pavarësisht paragjykimeve, ky ekip u kthye brenda një kohë të shkurtër në krenarinë e fshatit dhe të gjithë Shkodrës. Kalçetoja e zonës dhe më pas stadiumi “Loro Boriçi” ishin mikëpritëse të ndeshjeve që shënuan faqet e para të historisë së futbollit për vajza ne Shqipëri.

Momenti më emocionues ishte në vitin 2008 tregon presidenti Jaku:

“Me 18 Maj të 2008-ës, në tempullin e futbollit shqiptar, në stadiumin “Loro Boriçi” zhvillova ndeshjen e parë ndërkombëtare në futbollin e femrave ku përballë kishim ekipin e Kosovës. Isha i emocionuar, por kur u futa në stadium ishte një nga momentet më të lumtura të jetës sime. Qindra tifozë ishin të pranishëm, pjesa më e madhe ishin njerëzit që më kishin paragjykuar”.

Gjatë gjithë këtyre viteve, ekipi Juban-Danja ka fituar disa trofe, ka nxjerrë mjaft vajza të talentuara që sot luajnë në Europë, por ka nxjerrë edhe një golashënuese që është për “Guinnes” si Emanuela Jaku me 19 gola në nje ndeshje.
Sot, “Fredi” siç e thërrasin të gjithë, drejton një qendër shëndetësore, ekipin e Jubanit, ndërsa vitin e kaluar ky njeri solli një tjetër risi në futbollin shqiptar.

“Kam krijuar ekipin e parë në Shqipëri me fëmijët e komunitetit Rom dhe Egjiptian. Janë larguar nga rruga 14 fëmije dhe sot stërviten çdo ditë rregullisht. Ata kanë një dietë rigoroze ushqimore dhe unë jam kujdesur që t’i ndihmojë me bazë materiale në shtëpi. Për mua më kryesorja është se të gjithë këta fëmijë jane rikthyer në shkollë. Kushti i vetëm që të bëheshin pjesë e ekipit tim, ishte regjistrimi dhe frekuentimi i rregullt i shkollës”.

Në këtë intervistë për Konica.al, Ferdinandi zbuloi edhe një tjetër risi për futbollin shqiptar e atë botëror. Ndoshta është rasti i vetëm në botë, pasi “në shtator, trajnere e ekipit Juban Danja do të jetë një murgeshë. Kam biseduar me motrën Emilia Jitaru, një murgeshe rumune me mision në Shkodër dhe ka pranuar të drejtojë ekipin” – tregon ai, duke vendosur kështu një tjetër risi në futboll.