MENU
klinika

Dossier: Masakra e klerit

“Rrnoftë Krishti mbret, Rrnoftë Shqipnia!”

29.08.2018 - 16:19

“I fali të gjithë ata që, në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje edhe ata që do të më pushkatojnë. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnia!” Kanë qenë këto fjalët e fundit që dëgjoheshin nga goja e klerit të vendosur përpara togës së pushkatimit. Më pas dëgjohej zhurma e karikimit të armëve për pozicion qitje, thirrja “ZJARR!”…krismat e mitralozëve larguan përgjithnjë nga toka e komunizmit të pafe, çdo ipeshkëv që nuk pranonte të mohonte Zotin. Një plumb ishte në çdo rast një shpëtim për jetët e atyre që iu nënshtruan torturave të tmerrshme në qelitë e diktaturës.

Nëna e martirit, Dom Lazër Shantoja, pasi pa të birin të masakruar dhe me këmbë e duar të thyera, iu lut ushtarëve t’ia vrisnin djalin se ua paguante ajo plumbat por jo, ai vazhdoi vuajtjet ! Për njerëzit e Zotit nuk kishte mëshirë. Plumbat nuk u shpërdoruan jo vetëm për Dom Shanton por edhe për shumë klerikë të tjerë të cilët nuk u ekzekutuan me plumba.

Gjatë diktaturës komuniste, përfaqësuesit e fese katolike në Shqipëri janë dënuar sëbashku 881 vjet burg. Të pushkatuarit iu nënshtruan torturave për afro 250 muaj. Ata klerikë që vdiqën gjatë torturave çnjerëzore vuajtën për 68 muaj në hetuesi. Pranimi i Krishtit ishte vetëm justifikimi pas së cilës u fsheh një masakër e madhe e klerit që në atë kohë ishte dhe pjesa e vetme e arsimuar në Perëndim, në një kohë kur shumica e popullsisë ishte zhytur në analfabetizëm dhe varfëri. Shkodra, ishte padyshim qarku ku u regjistruan masakrat më të rënda për shkak edhe të pranisë së fortë të klerit katolik dhe françeskanëve. Konica.al sjell për lexuesit, mënyrat barbare dhe torturat çnjerëzore që pësuan 40 martiret.

Lista e martirëve të Kishës Katolike, fillon nga imzot Prendushi. Ai ishte, françeskan , u burgos dhe u torturua, sepse nuk pranoi të mohojë besimin e tij. Imzot Prendushi dha shpirt më 19 mars 1949 në birucën e burgut, i shtrirë këmbëzbathur në dheun e lagësht e të ftohtë.

Imzot Frano Gjini, Ipeshkv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale e njerëzore. I papërkulur para torturave, sepse nuk pranoi ta shkëpuste kishën nga Vatikani. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 11 mars 1948.
Imzot Jul Bonati, meshtar i madh intelektual, i cili pasi u mbyll për torturë në çmendinë, provoi tmerre të padëgjuara nëpër qelitë e ndryshme të sigurimit, nga Vlora në Durrës. Ai vdiq në burgun e Durrësit pranë imzot Prendushit.

Dom Alfons Tracki, prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslau-t, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj, u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm se nuk pranoi të mohonte besimin e tij. Si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme pas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj, sekretar i imzot Prendushit, meshtar që për kohën konsiderohej si një njeri i ditur, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjë të qelbur, teksa priste ditën e pushkatimit, më 31 dhjetor të vitit 1946.

Dom Dedë Maçaj, i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua, në moshën 27 vjeçare, për rezistencën e tij heroike fetare.

Dom Dedë Malaj, mbetet i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike, që i bëri besimit të tij në gjyqin që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959, në moshën 39 vjeçare.

Dom Dedë Plani, dha shpirt në spital më 30 prill 1949, pasi nuk pranoi asnjë akuzë dhe u bëri ballë torturave çnjerëzore deri në frymën e fundit.

Dom Ejëll Deda, famullitar i Bushatit, u arrestua vetëm pse ishte prift. Ai vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, pasi iu nënshtrua për 4 muaj torturave.

Kundrejt Dom Jak Bushatit, autoritetet komuniste ngritën akuzën politike të mbështetjes së diversantëve. Për veprën penale nr.55 famëkeqen “agjitacion e propagandë” Dom Jak Bushati u pushkatua pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Një fund akoma më të dhembshëm ka pasur Papa Josif Mihali. Arrestimit dhe torturave ndaj dikujt qe kishte bërë të vetmin faj se vazhdonte të pohonte se ishte njeri i Zotit, iu shtua dhe mbytja për së gjalli në baltovinat e kënetës së kampit çnjerëzor të Maliqit.

Meshtari gjerman, Dom Zef Maksen u pushkatua në vitin 1946 duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve, si meshtar i fesë së Krishterë”.

Dom Lazër Shantoja, meshtar i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë dhe i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë. Vdekja ishte shpëtim për të kur e pushkatuan në fund në moshën 54 vjeçare në fushat e periferisë së Tiranës.

Dom Lekë Sirdani, një tjetër personalitet i shquar i Kishës Katolike, prift, patriot, shkrimtar u torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar të vitit 1947.

Pak përpara se feja të ndalohej zyrtarisht, Dom Martin Shkurti, i shuguruar si meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura dhe guxoi të vijojë heroikisht shërbimin meshtar në kohën e terrorit dhe atëherë kur besimi fetar u ndalua me ligj. Dom Martin Shkurti arrestua, u torturua dhe u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani u arrestua për veprimtarinë e tij meshtare dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e xhelatëve në qeli në vitin 1945.

Dom Mikel Beltoja u pushkatua më 10 shkurt të vitit 1974 pasi mbrojti heroikisht dhe haptazi idealet e tij fetare,. Në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash ai u dënua me vdekje.

Dom Ndoc Suma vdiq dy vjet pasi ishte liruar i shkatërruar nga burgu. Torturat i lanë pak kohë për të parë dritën e diellit, teksa shprehja e tij: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesh pse isha arrestuar” – ka mbetur emblemë e llojit të proceseve gjyqsore që u zhvilluan nga kleri në atë kohë.

Prifti poet, Dom Ndré Zadeja u pushkatua pa gjyq në qytetin e Shkodrës. Edhe pse për ekzkutimin e tij në shkelje të plotë të drejtave të njeriut (pa gjyq) nuk ka një datë, ai konsiderohet si martiri i parë viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjefën Kurti u pushkatua para banorëve të Gurzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë furrat e bukës.

At Bernardin Palaj, i cili ishte mbledhësi i parë i eposit të kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant, do të vdiste në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, të shndërruar në burg për 700 të pafajshëm. Nën torturat e Sigurimit mori tetanosin.

At françeskan Çiprian Nika vdiq nën akuzën e rëndë dhe shpifëse se kishte fshehur armë në altarin e Shën Ndout në kishën françeskane të Gjuhadolit.

At Gaspër Suma, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua në vitin 1947 dhe vdiq në burg.

At Gjon Shllaku u pushkatua së bashku me jezuitët At Xhovani Fausti, misionar italian, dhe At Daniel Dajani, po ashtu, italian, si dhe me seminaristin Mark Çuni, djalë i ri. Ndaj tyre rëndonte akuza për përpjekje në formimin e Partisë Demokristiane.

Një erudit që kishte përfunduar studimet në Francë dhe Holandë për filozofi sikurse At Gjergj Gjon Shllaku nuk mund të lihej në jetë ndaj pas torturave çnjerëzore, ai u pushkatua në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi në Shkodër me 4 mars 1946.

At Karl Serreqi, frati që nuk pranoi të kallëzojë rrëfimin e një të plagosuri në përplasjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve, në respekt të sekretit të rrëfimit. Vdiq në Burrel më 4 prill të vitit 1954.

Është lënë pa varr At Mati Prendushi. Frati mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla dhe nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq komunist”.

Frati Françeskan At Serafin Koda dha shpirt pasi hetuesit komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonjë. Po ashtu edhe at Gjon Pentralia ndërroi jetë në spital pasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

At Luigj Paliqi dhe Dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit. At Luigj Paliqi u vra në atentat nga serbët, ndërsa Dom Gjon Gazulli u var nga Zogu në një shesh të Shkodrës në vitin 1927.
28 prej 38 martirëve të fesë katolike sot nuk kanë fare varr dhe ende nuk dihen trupat e tyre.

Përgatiti: K.ZH.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN