MENU
klinika

Opinion

Shqiptarët, janë lexues të mirë

23.08.2018 - 08:57

Nga MIMOZA HYSA/

Falenderojmë shumë INSTAT-it që më në fund, pas kërkesave të vazhdueshme e bëri një anketë edhe për leximin.

Por çfarë rezulton nga shifrat e publikuara?

1. Së pari nuk kemi mundësi krahasimi me vitet e tjera, nëse është rritur apo zvogëluar numri i lexuesve;

2. Së dyti nuk rezulton se ka ndonjë dallim të madh mes fashave të moshave që nuk lexojnë, që do të thotë se nuk është e vërtetë që mosha mbi 40 e lindur dhe edukuar në një periudhë tjetër të jenë lexues më të rregullt se 25 vjeçarët e lindur dhe rritur gjatë periudhës së tranzicionit. Por mund të dëshmojë dhe që lexuesit e dikurshëm kanë hequr dorë nga libri.

3. Së treti rezulton se shqiptarët janë lexues shumë më të mirë se vendet më të zhvilluara europiane, gjë që më bën të dyshoj se edhe kësaj here nuk janë treguar të ndershëm kur kanë deklaruar shifrat.

Duke iu referuar shifrave, sipas publikimeve të secilit vend, nëse në Shqipëri 35% deklaron se nuk ka lexuar asnjë libër gjatë një viti, në Itali kjo shifër është 55% (6 në 10 italianë deklarojnë se nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë një viti), në Spanjë 37.8%, në Francë 31%, në Gjermani 31.3 %, në Shtetet e Bashkuara 27%, në Kanada 16% dhe në Norvegji 10%.

Nuk e di pse dalim në konkluzione dhe flasim pa bërë krahasimet, sidomos gazetarët që botojnë lajmin dhe nuk bëjnë krahasime paralele. Nuk është e barazvlefshme të thuash sa nuk lexojnë në Shqipëri dhe sa shpenzohet për blerje librash në disa vende të botës.

Urojmë që tashmë anketat të jenë të përvitshme dhe më të detajuara. Psh në Itali rezultojn se një pjesë e mire e klasës së drejtuesve dhe menaxherëve (38%) deklarojnë se nuk lexojnë.

Tek ne mund të dallojmë vetëm që numri i atyre që nuk lexojnë është më tepër nga ata me arsim të ulët. Anketat më të plota do të ishin shumë ndihmuese për të orientuar politikat e librit.

Konkluzioni im kur krahasova shifrat ishte se ende shqiptarët nuk janë aq të ndershëm me veten sa të bëjnë deklarime të vërteta. Pastaj kisha më besim te francezët, nuk ma merrte mendja se mund të ishin gati si ne dhe më keq se amerikanët…