MENU
klinika

Nga Alban DACI

Të afirmuar për shërbim dhe përkushtim- Nuk ka asgjë të pamundur!

24.08.2018 - 19:40

Thonë se eksperiencat personale janë një motivim dhe një arsye për të pasqyruar ndjeshmëritë apo edhe sensibilitetin, përkushtimin apo shërbimin tek të tjerët.

Shkollën e Mesme e mbarova në Tiranë, pikërisht në vitet më të vështira për ne që bënim pjesë tek të ardhurit nga Veriu (malokët) pas viteve ’90, në Tiranë. Madje, unë dhe disa të tjerë bënim pjesë në gjeneratën edhe më të gabuar, sepse ishin pikërisht ata që kishin ardhur në Tiranë, menjëherë pas trazirave të vitit ’97. Kishte një frymëzim të gjerë të mbushur me paragjykime dhe stereotipe nga më të ndryshmet, madje për ne që kishim depërtuar menjëherë në zemrën e Tiranës, kur kishin guxim përdornin kundrejt nesh termin “malok” dhe “çeçenë”.

Ky përdorim ishte masiv tek shokët e klasës, por nuk mungonin rastet edhe kur përdorime të tilla bëheshin edhe nga vetë mësuesit. Shumica jonë vinim nga familja me histori, me prezencë të lartë kulturore e intelektuale, por, përsëri vetëm pse ishin të ardhur nga Veriu, për ta, ne ishim malokë që në mënyrë të rëndomtë dhe reale ishte termë përbuzës, paragjykues dhe nënkuptonte, sipas mendjes së tyre, njeriun primitiv, edhe pse e vërteta ishte se shumicën e rasteve na “ofendonin” si malokë persona që, edhe pse ishin në gjimnaz, nuk dinin shkrim e këndim dhe nuk kishin asnjë histori familjare.

Unë, e disa të tjerë këtë situatë të vështirë paragjykimi vendosëm ta sfidonim me zgjuarsi dhe me dedikim absolut në dije dhe me rezultate mësime. Shpejt dëshmuam se kush ishim dhe të tjerët filluan të na shikonin me një këndvështrim tjetër.

Historitë tona familjare na frymëzonin dhe na inspironin, për të arritur majat me çdo kusht, dhe për të bërë diferencën. Sigurisht, Tirana, për mua mbetej pjesë e kësaj shumice paragjykuese dhe nuk më frymëzonte për të vazhduar studimet e larta në Tiranë. Doja të largohesha nga Tirana me çdo kusht, sepse nuk e gjeja veten time. Kisha të njëjtën ndjesi, që kishte pasur Behgjet Pacolli, kur studionte në Prishtinë.

Paragjykimet e padrejta dhe dashakeqëse rritën tek unë forcën dhe vullnetin për të luftuar për drejtësi, për të sfiduar me punë dhe angazhim, duke ju dhënë përgjigjen atyre “naivëve”, duke bërë diferencën në çdo gjë që bëja.

Më vonë, kam kuptuar se shumica e atyre që përdornin me, thuajse, urrejtje pasionante termin “malokë” me të mbaruar studimet ishin martuar dhe kishin ndërtuar familje pikërisht me “malokët”.

Me të mbaruar gjimnazin, kisha vendosur me çdo kusht të ikja nga Shqipëria dhe Tirana, sepse me dukeshin të vogla për ëndrrat e mia. Po ashtu, nuk ndjehesha pjesë natyrale e atij mjedisi të mbushur me paragjykim dhe nxitje të theksuar të urrejtjes krahinore. Kisha vendosur të largohesha nga Shqipëria, për të studiuar në Itali, për të ndjekur edhe traditën e familjes sime. Doja që ngjarjet të përsëriteshin duke dëshmuar se kemi qenë e do të jemi, pavarësisht se regjimi na sulmoi barbarisht, pikërisht për atë që ishim, ishim intelektualët e vetëm të zonës dhe ishin një referim social e dominues në zonë.

Historia e paragjykimeve do të na ndiqte edhe në kohën e studimeve në Itali, dhe kjo për shkak se mediet kishin kontribuar për të krijuar dhe kishin krijuar stereotipe ndaj shqiptareve. Pra, edhe në Itali nuk u ndava nga ndjesia e situatave e paragjykimeve, edhe pse, të paktën, këtu ishin italianët që na paragjykonin dhe jo shqiptarët.

Përsëri luftova duke dhënë maksimumin dhe duke bërë diferencën time në studime dhe në çdo iniciativë. Sa më shumë të kishte paragjykime ndaj shqiptarëve, aq më shumë më rritej ndjenja e krenarisë dhe idealizmi për Shqipëri. Madje, për ta dëshmuar këtë krenari, thuajse, gjithmonë në kohën e studimeve në xhaketë mbaja gjithmonë flamurin kuq e zi dhe kur nuk kisha xhaketë, kisha kapele, mbajtëse çelësash, ose bluzë me flamurin kuq e zi. Po ashtu, gjithmonë rritej forca ime për të luftuar çdo lloj padrejtësie, që bëhej kundrejt çdo shqiptari që njihja.

Pas mbarimit të studimeve, në të gjitha angazhimet e mia të ndryshme sociale, profesionale e politike, kam bërë beteja kundër padrejtësive dhe kam luftuar për ideale dhe për vlera që na bashkojnë. Kam luftuar pa mëshirë nepotizmin, në çdo formë, si kancerin e zhvillimit të shoqërisë, kam luftuar modelet e trashëgimisë së pushtetit, apo të tjetërsimit të tij.
Tashmë, nuk ka shumë muaj që kam hapur një zyrë në Genova, ku ofroj shërbime të ndryshme, për shqiptarët që jetojnë në Itali dhe jo vetëm. Në pak muaj, kam ndihmuar shumë shqiptarë të kalojnë dhe të thyejnë burokracitë, kanë ndihmuar dhe ja kam dalë që atë të fitojnë drejtësinë dhe të mposhtin çdo formë padrejtësie.

Po ashtu vazhdimisht jam impenjuar për të promovuar Shqipërinë dhe shqiptarët, që jetojnë jashtë shtetit. Me rastin e shembjes Urës Morandi, ku mbetën viktima edhe dy shqiptarë, kam qenë i vetmi gazetar që kam transmetuar live për katër ditë, për të vetmen media shqiptare “Report TV”, hap pas hapi të gjitha ngjarjet, duke mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, por edhe duke kritikuar pa kompromis edhe autoritetet shqiptare, për indiferentizmin e tyre të vazhdueshëm kundrejt shqiptarëve, që jetojnë në Itali dhe në emigracion.

Ndoshta nuk kam arritur shumicën e ëndrrave të mia, të ushqyera çdo ditë, nga fëmijëria deri më sot, megjithatë, jam krenar se në modestinë time, jam bërë një promovues dhe mbrojtës i rëndësishëm i shqiptarëve në Itali, dhe jo vetëm. Këtë e kam arritur me shërbim, profesionalizëm dhe përkushtim. Përkushtime dhe angazhime të tjera në jetë na presin, disa do të jenë do të jenë të suksesshme, disa të tjera ndoshta do të dështojnë, por ne nuk do të ndalemi kurrë së vepruari dhe për ne nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë të pamundur!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN