Pas dy ditësh “ankorim”, zbulohen detaje nga diskutimi në mbledhjen e qeverisë në rezidencën nr.1 në qytetin bregdetar.
Dita e dytë e takimit të kryeministrit Rama me ministrat e kabinetit të tij, të zhvilluar në qytetin e Vlorës, ka përfunduar me dy përfundime të rëndësishme, caktimin e datës së Asamblesë socialiste dhe konfirmimin e kandidatit për kryebashkiak të Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në këtë ditë të dytë të takimit, Rama ka bërë analizën parazgjedhore për Lokalet 2019.
Në përfundim të punimeve, kur janë larguar ministrat, në takim kanë mbetur Gramoz Ruçi, Taulant Balla, Bledi Çuçi dhe Erion Veliaj, duke dhënë kështu sinjalin e konfirmimit të kryetarit aktual bashkiak të kryeqytetit për një mandat të dytë.
Data e Asamblesë së Përgjithshme të PS do të jetë 7 shtatori, data më e mundshme edhe për ndryshimet në qeveri.
Ndërsa është mësuar se në datën 3 shtator do të mblidhet dhe kryesia e PS. Mësohet se kryeministri ka ndarë detyrat për ministrat, të ndara sipas dikastereve.
Vetë Rama paralajmëroi në pranverën e këtij viti, se vjeshta do të ketë ndryshime në kabinetin e qeverisë bazuar në performancën e ministrave, por përveç datës 7 shtator nuk përjashtohet as mundësia që ndryshimet të shtyhen për vitin tjetër.
Në mbledhje gjithashtu u diskutua për një strategji politike për komunikimin me publikun, dhe hartimi i një plani 1-vjeçar pune, ku do përcaktohen objektivat e qeverisë dhe performanca e qeverisë. Në mbledhjen e qeverisë në Vlorë morën pjesë ministrat.