MENU
klinika

Poetët e Instagramit

A i bëjnë keq gjinisë poetike, poezitë e Instagramit?

20.09.2018 - 19:46

Ishte pranvera e vitit 2017, kur për herë të parë e gjeta veten para një “poezie Instagrami” m. Një mik më dërgoi një post nga Nayyriah Waheed, duke më shkruar: “A e njeh atë? Është interesante. ” Unë s’e kisha as idenë më të vogël të fenomenit, por e njoh mirë mikun tim dhe e di që nuk i pëlqen poezia.

Për të qenë i sinqertë, pasi lexova postin, i cili përmbante vetëm disa fjali në një sfond të bardhë, nuk e përcaktova dot si “poezi”, por thashë me vete: “Ah, po, një frazë e bukur”. Nuk e mbaj mend çfarë shkruante saktësisht, por më kujtohet diçka e tipit: “duhet t’i kërkojmë të gjitha në një marrëdhënie. / shpesh. / marrëdhënie të çdo lloji: / si e ke zemrën? / a merr frymë e lumtur / a ndihesh e lirë. »

Po në ato ditë, “Qumësht dhe Mjalt”, libri i parë i ” poetes së Instagramit ” Rupi Kaur arriti të shiste dy milionë kopje, ndërkohë që nuk kaluan as 5 muaj dhe ajo nxorri librin e dytë, “Dielli dhe lulet e saj”. Poezia e Instagramit ka arritur deri aty sa Waheed ka akuzuar Kaur për plagjaturë. Sot Nayyirrah Waheed ka mbi 600 mijë ‘followers’, ndërsa Rupi Kaur mbi 3 milionë.

Ata nuk janë të vetmit përfaqësues të lëvizjes “poetike” në Instagram: nga autorët më të suksesshëm është Christopher Poindexter, 350 mijë ndjekës, Yrsa Daley-Ward, 150 mijë, Atticus, 820 mijë, Lang leav, 470 mijë, dhe shumë të tjerë me audiencë të konsiderueshme. Poezitë e tyre kanë linjë poetike të ngjashme, por kanë dhe dallime të vogla. Kriteri i vetëm për këto poezi është që të mbushin kuadratin e fotos së Instagram-it dhe mos të kenë nevojë për zoom. Poezitë flasin për dashurinë dhe vetëbesimin, për marrëdhëniet e mbaruara, për vuajtjen. Një nga poezitë më të çmuara të Rupi Kaur, me 250 mijë pëlqime, thotë: «si ylber / pas shiut / gëzimi do të rikthehet / pas pikëllimit».

Origjina e fenomenit, pa shkuar shumë pas në vite, është e lehtë të zbulohet në Tumblr, një rrjet social që mes shumë karakteristikave të veta ka zhvilluar së tepërmi dhe fotot me fraza motivuese, shprehje mbi natyrën e bukur, fushat e mbuluara me dëborë, perëndimet mahnitësë. Sot këto lloj fotosh vijnë së bashku me poezitë, mes gjithë postimeve të tjera. Rupi Kaur për shembull përdor modelin ABAB, pra si rima e një poezie. Ajo poston në profilin e saj një foto, një poezi, pastaj prapë një foto, e cila në sajë të rrjetit Instagram, e ndarë në tri kolona, e bën profilin e autores një mozaik të këndshëm. Megjithatë poetët ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe jo të gjithë përdorin të njëjtën mënyrë për të organizuar profilet e tyre “poetike”.

Është e vështirë të përcaktosh se cila është poezi dhe cila nuk është, ose çfarë është letrare e cila jo. Së fundmi, jashtë kornizave doli dhe Akademia Suedeze e që vendosi t’i japë çmimin Nobel për letërsi një këngëtari. Charles Simic, një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë, në një artikull të disa viteve më parë krahasonte poezitë e tij me lojën e shahut: “Suksesi i tyre varet se si fjalët dhe imazhet janë vendosur në mënyrë e duhur, dhe fundi i tyre duhet të ketë efektin e befasisë si një “shah-mat” ». Franco Fortini, poet italian dhe kritik letrar, thotë se “një poezi përcakton dimensionin e vet fonetiko-ritmik”. Poezitë e “poetëve të Instagramit” nuk kanë asnjë karakteristikë të tillë, por rrjeti u mundëson shpërndarjen dhe masivizimin e poezive të tyre. Ne thjesht pranojmë t’i quajmë këto krijime “poezi”, harrojmë thjeshtësinë e gjuhës që përmbajnë, mungesën e terminologjisë, mungesën e ritmit, gjetjet artistike, një vizion që shkon përtej refleksionit personal të autorit. Tani ne nuk i njohim më poetët nga stili, nga rryma letrare, nga karakteristikat unike në pozitë e tyre, por nga sot e tutje do t’i njohim veçse me një fotografi.

Atëherë, poezia “akademike” ose “tradicionale” a duhet të shqetësohet për poezitë e “Instagram”? Jo! A duhet të mendojë, që të përfitojë nga kjo? Unë mendoj se përgjigjja duhet të jetë gjithmonë: një lexues i cili mësohet me poezitë e Instagramit vështirë se mund të kalojë natyrshëm të lexojë Bodlerin. Natyrisht, në nivelin e promovimit të poezive të Instagramit, poezia tradicionale duhet që të mësojë, ose të imitojë. Kjo vlen jo vetëm për poetët, por për të gjithë industrinë botuese. Të ndryshojmë formën dhe t’i përshtatemi kohës, por gjithmonë duke ruajtur një përmbajtje të fortë dhe thelbësore. Ndoshta frymëzimi i vetëm që mund të marrim nga veprat e poetëve të Instagram-it është në fakt, karakteristika e tyre themelore, ajo çfarë i mban gjallë. Marketingu!

Davide Coppo/ Rivista Studio

Përktheu: Arli Minga

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!