Kryetari i partisë shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në një konferencë për shtyp, reagoi pas mbylljes së votimit të referendumit për çështjen e emrit të ri të Maqedonisë.
Në konferencë Ahmeti u shpreh se qytetarët e Maqedonisë ia deleguan vendim-marrjen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për vendimin përfundimtar rreth referendumit. Më poshtë paraqitet deklarata e plotë e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit.
Deklarata e plotë
Të nderuar qytetar, të nderuara media,
Dita e sotme ishte një ditë shumë e rëndësishme për vendin tonë.
Uroj të gjithë qytetarët e Maqedonisë, institucionet e vendit, të gjitha partitë politike të cilat kontribuan në mbarëvajtjen e procesit të referendumit për shfaqjen e qytetarisë dhe kulturës demokratike.
Sot, ne demonstruam kapacitete demokratike të denja për një vend pretendent për integrim në NATO dhe në BE.
Ky proces i reformave, barazisë dhe mbylljes së çështjeve me fqinjtë tanë garanton paqë të qëndrueshme, siguri, stabilitet, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, investime vendore dhe të huaja si dhe mirëqenie shoqërore.
Unë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim që në fillim e kemi thënë që vendimmarrja i takon institucioneve të vendit të zgjedhura në mënyrë legjitime dhe me kapacitet të plotë vendim-marrës.
Sot, qytetarët e vendit ia deleguan vendim-marrjen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike.
Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin e ardhshëm.
Prandaj, kjo përbërje e Kuvendit ka mandat për zgjidhje të çështjeve me fqinjtë dhe integrim të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe me vendimin e tyre, sot qytetarët e deleguan të drejtën e vendim-marrjës tek Deputetët dhe institucionet e vendit.
Maqedonia alternativë tjetër nuk ka përveç se integrimit në NATO dhe në Bashkimit Evropian.