“Air Albania” nisi dje fluturimin e parë drejt Stambollit në orën 8:50 nga aeroporti i Rinasit.
Pasagjerët e parë të linjës shqiptare ishin studentët e ekselencës. I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Rama tha se studentët e ekselencës do të jenë këmba e mbarë për kompaninë e fluturimit.
“Më vjen shumë mirë që këtë fluturim të parë të muajit të testit të ‘Air Albania’ e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës. Është një fluturim simbolik, ndërkohë që gjatë gjithë muajit do të jenë disa të tillë”, u shpreh Kryeministri.
Por PD nuk mendon se është nisur “Air Albania” por një fluturim shtesë i “Turkish Airlines”. Demokratët akuzuan Kryeministrin Rama se po “mashtron shqiptarët, keqpërdor studentët dhe jep shfaqje me një kompani që nuk është e licencuar për fluturim me kodin shqiptar”.
Por drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, sqaroi dje po në “Facebook” mënyrën se si do të funksionojë kompania e parë ajrore shqiptare. “Atëherë, disa detaje që kam kënaqësi të flas, një shpjegim teknik për kompaninë e re kombëtare shqiptare.
‘Air Albania’ do të jetë kompania e Shqiptarëve për shqiptarët dhe këto janë arsyet pse. Së pari, 49% e ‘Air Albania’ zotërohet nga gjigandi ‘Turkish Airline’, një nga kompanitë më të mira në botë me mbi 300 avionë dhe mbi 300 destinacione, në 120 vende të botës.
E thënë thjesht, ‘Air Albania’ do të përfitojë nga kompania mirëmbajtjes së avionëve ‘Turkish Teknik’, lider në fushën e vet me qendër në Stamboll. Gjithashtu, Air Albania do të ketë akses në Akademinë e Aviacionit ‘Turkish Airlines’, pra, pilotët dhe stafi shqiptar i kabinës do të trajnohen këtu. Për më tepër, ‘Air Albania’ do ketë mundësi aksesi në marrëveshjet e TK me aeroportet ku fluturon, pra, paketat tregtare të favorshme”, shkruan Keri.