MENU
klinika

Koalicioni me PD

Basha ‘përqafon’ Idrizin: Eja me mua, të rrëzojmë Ramën

13.09.2018 - 12:07

Dy ditë pasi kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi se do të nisë negociatat me PD, kreu i demokratëve, Lulzim Basha i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij. Nga Durrësi ai tha se e mirëpret këtë kërkesë bazuar mbi parimet dhe objektivat që opozita ka shpallur, për të çliruar vendin nga bashkëqeverisja me krimin.

“Mirëpres kërkesën e PDIU për të nisur bisedimet me PD dhe opozitën, bazuar në parimet dhe objektivat e shpallura të çlirimit të vendit nga bashkëqeverisja me krimin, të vendosjes së interesit të shqiptarëve mbi interesat e bandës në pushtet dhe të formulimit të zgjidhjeve të përbashkëta për ti dhënë fund emergjencës kombëtare ku e ka futur Rama dhe banda që ai qeveris“-tha Basha.

Idrizi tha se PDIU do nisë negociatat me Partinë Demokratike, një vendim ky që sipas tij u mor me unanimitet nga Këshilli Kombëtar i PDIU.

Në kushtet kur çështja e shqiptarëve të Çamërisë është bjerrë. Në kushtet kur vendi ka një maxhorancë që e ka tepsinë vetë dhe do të dalë e vetme në zgjedhje, Shqipëria ka nevojë të ketë një front opozitar po kaq të fuqishëm. Kjo është arsyeja që ne vendosëm të shohim mundësitë të negociojmë dhe të mandatojmë kryetarin e PDIU-së për të negociatuar dhe për të parë mundësinë e një marrëveshje me partitë e opozitës“-shtoi Idrizi.