Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se sanksionet e Bashkimit Evropian mbi Moskën nuk do të hiqen derisa të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm në Ukrainë nën të ashtuquajturat marrëveshje të Minskut.
“Para se të zbatohet marrëveshja e Minskit apo të bëhet progres në këtë drejtim, ne nuk do të shqyrtojmë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, u tha Merkel gazetarëve më 14 shtator në kryeqytetin lituanez, Vilnius.
“Rivendosja e paqes dhe integritetit territorial të Ukrainës mbetet qëllimi ynë” tha ajo.
Sanksionet u vendosën kundër Rusisë për mbështetjen e saj për separatistët që luftonin forcat qeveritare të Ukrainës në Ukrainën lindore në një luftë që ka vrarë më shumë se 10,300 njerëz që nga prilli i vitit 2014.
BE i vendosi të enjten këto masa. Ekzistojnë sanksione të veçanta të BE që synojnë sektorë të veçantë të ekonomisë ruse, si dhe masa kufizuese që pengojnë qytetarët dhe kompanitë e BE-së që të investojnë në Krime dhe Sevastopoli.
Komentet e Kancelares për sanksionet mbi Rusinë vijnë një ditë pasi një gjykatë e BE kundërshtoi një kërkesë nga tetë kompani ruse për të anulluar masat, duke vendosur se ato ishin të arsyeshme dhe proporcionale.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosin sanksione të ngjashme.
Rusia mohon përfshirjen në konfliktin në Ukrainën lindore, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi kanë dëshmi se Moska ka dhënë mbështetje ushtarake, ekonomike dhe politike për lëvizjet e shkëputura në rajon.
Gjermania dhe Franca ndihmuan ndërmjetësimin e marrëveshjeve të armëpushimit si pjesë e marrëveshjeve të Minskut në shtator 2014 dhe shkurt 2015,që synonin zgjidhjen e konfliktit, por nuk u arrit asgjë.
Marrëveshjet e paqes të Minskit parashikojnë një armëpushim, tërheqjen e armëve të rënda dhe zgjedhjet e lira. Por ajo ende nuk është zbatuar.
Gjatë udhëtimit të saj në Lituani, Merkel gjithashtu vizitoi trupat gjermane të vendosura në vendin balltik si pjesë e forcës së NATO-s vendosur në rajon për të siguruar aleatët përballë një politike të jashtme më agresive ruse.