MENU
klinika

Gjurmët e Nazizmit

“Berghof”, aty ku u projektua “Lufta e Dytë Botërore”

26.09.2018 - 11:26

Rreth njëzet kilometra nga Salzburgu, në Bavari, ndodhet “Berghof”, vendbanimi malor i Hitlerit. I braktisur në fund të luftës, kur gati u shkatërrua nga bombardimet, “Berghof” u mbulua tërësisht nga pemët e mëdha, të mbjella për ta rrethuar dhe për ta fshehur nga sytë e kalimtarëve. “Berghof” ishte vendi ku projektua nga “Rajhu i Tretë” ajo tragjedi që të gjithë e dimë sa e trishtë dëshmoi të ishte.

Në vitin 1999, vetëm 300 metra nga vendbanimi i braktisur, u ndërtua “Dokumentation Obersalzberg”, një muze i vogël që tregon për mizoritë e nazizmit. Qëllimi ishte për të parandaluar mundësinë se “Berghof” mund të kthehej në një vend kulti për neo-nazizmin.E megjithatë, rreth e qark zonës vijojnë ende të jenë të gdhendura nëpër trungje shenjat e “kryqit të thyer”, simbolit të kobshëm nazist.

Sot, muzeu “Dokumentation Obersalzberg” është projekt i madh i cili ka marrë një fond prej 21 milionë euro për t’u zgjeruar dhe pasuruar deri në vitin 2020. Në pikëpyetje është se çfarë do të bëjnë projektuesit me shtëpinë e dytë të Hitlerit. Disa besojnë se gjëja më e mirë është që ta lënë vendin të paprekur dhe ndoshta të organizojnë ture me guidë për turistët. Megjithatë, sipas punonjësit të muzeut Mathias Irlinger: “nëse nuk bëjmë asgjë në atë zonë, “ata” mund të vijnë dhe të bëjnë çfarë të duan”.

Me “ata” Irlinger e ka fjalën për njerëz që vijnë shpesh në ture të tilla turishtësh me qëllimin për të provokuar dhe për të krijuar trazira. Në shumicën e rasteve “ata” janë neo-nazistët. E megjithatë, nuk do të ishte e drejtë që të fshihej e kaluara për faktin se shumica e njerëzve e shohin atë që ka ndodhur, si një nga gabimet më të mëdha në historinë e botës. “Ne jemi mjaft të fortë për ta parë të vërtetën … Ne jemi të detyruar për ta kujtuar të shkuarën dhe të nxjerrim nga ajo mësimet për të ardhmen”, përfundon drejtori i “Dokumentation Obersalzberg”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN