Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në Forumin e Dubrovnikut me temë: “Forcimi i qëndrueshmërisë – Mesdheu, Evropa dhe Ballkani Perëndimor”, theksoi katër sfida kryesore me të cilat përballemi dhe që dëmtojnë qëndrueshmërinë e vendeve të rajonit.
Forumi zhvillohet nën kujdesin e Kryeministrit kroat Andrej Plenković në të cilin marrin pjesë Kryeministra dhe Ministra të Jashtëm të rajonit, zyrtarë të Bashkimit Evropian, si dhe personalitete të politikës ndërkombëtare.
“Migracioni, diferencat socio-ekonomike me vendet e BE dhe ndërlidhshmëria, shteti i së drejtës, çështjet e pazgjidhura që lidhen me shtetformimin dhe kufijtë, kanë nevojë për adresimin e duhur, në mënyrë që t’u përgjigjemi pritshmërive të të rinjve të shek. XXI”.
Ministri u ndal dhe në debatin mbi Evropën dhe vetë Ballkanin Perëndimor në BE.
Përsa i përket diskutimit mbi çështjet e migracionit, kreu i diplomacisë solli në vëmendje qëndrimin koherent të Shqipërisë ndaj kësaj çështje si çështje të solidaritetit dhe vlerave evropiane dhe iu referua si shembull të këtij qëndrimi, vendimit më të fundit të qeverisë për të strehuar 20 refugjatë nga Eritrea.
M.H