MENU
klinika

Në Bardhaj jetohet kështu...

10 min nga Shkodra, 25 vjet larg shërbimeve publike

16.09.2018 - 11:23

Rreth 1 mijë banorë të fshatit Bardhaj, vetëm 3 km larg qendrës së qytetit të Shkodrës nuk kanë ujë të pijshëm prej 25 vitesh. Vajzat dhe gratë banore të kësaj zone i sheh sesi ëdo ditë mbushin ujë me karroca dore duke ecur më shumë se 30 minuta për në burimin e përbashkët. Një pamje që të kujton një tjetër kohë, edhe pse ata janë të vendosur në kohë dhe në hapsirën e vitin 2018-të, kur paralelisht me këtë realitet flitet për pagesat e faturave të ujit me smartphone.

Banorët e Bardhajt nuk dine te thone nese uji qe mbushin ne kete burim eshte i pijshem por ato pohojne vecse uji eshte domosdoshmeri

“Unë duhet të eci çdo dite rreth 20 minuta për të mbushur ujë. Çdo 2 vjet, si në zgjedhjet për kryetar bashkie ashtu edhe për qeverinë, kandidatët vijnë këtu dhe na premtojnë pa fund. Na mbushin me fjalë të bukura dhe pasi marrin votat largohen. Ne paguajmë çdo taksë në bashki por asnjëherë nuk marrim shërbim për atë çfarë paguajmë” – thotë një nga banoret.

Një pjesë e banorëve, me një gjëndje më të mirë financiare, në mungesë të ujësjellësit konsumojnë ujin e puseve që ata kanë shpuar nën tokë por që sipas tyre është me sasi të madhe bakteriale, aq sa duket edhe me sy të lirë.

“Kam paguar rreth 2 milion lekë të vjetra për të ndërtuar këtë pus” tregon Agimi, një banor i vjetër i kësaj zone. “Ishte e vetmja mënyrë për të sjellë ujin në shtëpi por sërish kemi probleme. Nga analizat e kryera, na rezulton se ai nuk është i pastër dhe rrezikojmë shëndetin tonë. Fëmijet shpesh herë kanë patur probleme shëndetësore për shkak të ujit që ne përdorim”.

Por ky fshat i lënë pas doret nuk ka as infrastrukturë. Asnjëherë as ish komuna dhe as bashkia sot, nuk janë kujtuar për të vënë dorë në asfaltimin e rrugeve që të çojnë në Bardhaj. Megjithëse i ndan vetem lumi i Kirit nga qyteti i Shkodrës, rrugët e kësaj zonë janë si në një vend të humbur. Banorët kanë protestuar here pas here, por fjalët e tyre kanë rënë në vesh të shurdher.

“Tashmë jemi të lodhur dhe pa shpresë. Askush nuk interesohet për ne pavarësisht se unë e kam qendrën e qytetit të Shkodrës vetem 10 minuta larg. Kjo rrugë është në gjendje skandaloze dhe çdo ditë shkatërrojmë makinat tona. Më mirë ishte rruga atje ne Dukagjin, mbi 1500 meter mbi nivelin e detit, ku banoja unë më përpara se sa në qytet” shprehet një banor i revoltuar.

Me reformen administrativo – territoriale, fshati Bardhaj tashmë është pjesë e bashkisë së Shkodrës. Me heret kjo zonë ishte e rëndësishme për shkak të pranisë së reparteve ushtarake dhe cilësohej si një pikë strategjike nga Ministria e Brendshme.

Përgatiti: K.Zh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkodranët nuk duan më artet?!

Bie numri i regjistrimeve tek “Prenk Jakova”

Koncerti në Amfiteatrin e Tiranës

“Karajfilat e Shkodrës” në Tiranë