MENU
klinika

Koalicionet me PD

Dule braktis PD-në? Shkak futja e çamëve në koalicion

15.09.2018 - 16:25

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, mund të largohet nga koalicioni me Partinë Demokratike nëse pjesë e frontit opozitar do të bëhen edhe çamët e PDIU-së së Shpëtim Idrizit.

Konfirmimi që Basha i dha nisjes së negociatave me PDIU-në, solli një takim urgjent në selinë blu mes kreut të PD dhe aleatit të tij, Vangjel Dule. PBDNJ e sheh të papranueshme qëndrimin në të njëjtin koalicion me PDIU-në, për të cilën u largua edhe nga koalicioni me Edi Ramën.

Burime nga takimi me dyer të mbyllura i zhvilluar mes Bashës dhe Dules bëjnë me dije se kreu i opozitës ka sqaruar kreun e PBDNJ-së se, në situatën në të cilën ndodhet vendi, çdo faktor që i shtohet opozitës rrit mundësinë për t’u përballur me Kryeministrin dhe lidhjet e tij me krimin në çdo qytet.

Gjithashtu, mësohet se Basha gjatë takimit të ketë sqaruar Dulen se ende nuk ka një marrëveshje me çamët e PDIU-së, duke e ftuar të vijojë bashkëpunimin me opozitën e bashkuar. Ndërkohë, Dule është i vendosur t’u qëndrojë parimeve dhe synimeve të forcës së tij politike, duke e bërë fakt të kryer se nëse PDIU do të bashkohet me opozitën, PBDNJ do të largohet nga koalicioni.

“Partia për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut është në radhë të parë një parti që ka prioritetet e veta dhe për aq kohë sa prioritetet e saj kryesore janë në afrimitet me një forcë tjetër politike, natyrisht që vazhdon bashkëpunimi. Që nga momenti që nuk ekziston kjo bazë e realitetit e zhvillimeve politike, atëherë mungojnë premisat për një gjë të tillë”, deklaroi Dule pas takimit 40-minutësh që zhvilloi me Bashën në selinë blu. Dule sqaroi se forca e tij politike është një parti me karakter të theksuar dhe se qëndrimet e mbajtura kanë qenë koherente.

Basha ‘përqafon’ Idrizin: Eja me mua, të rrëzojmë Ramën

PBDNJ është një parti me një profil të theksuar, që në aktivitetin e vet politik karakterizohet nga konsekuenca në atë sistem vlerash dhe parimesh që nga themelimi i saj dhe nuk ka vend për interpretime përtej asaj tradicionales. Në jetën politike, Vangjel Dule nuk ka asnjë kuptim, sikurse çdo politikan tjetër nëse nuk është në shërbim të një platforme të caktuar idealesh, vlerash dhe parimesh”, sqaroi kreu i PBDNJ.

Këtë të hënë, Këshilli Kombëtar i PDIU-së mandatoi kreun e kësaj force politike, Shpëtim Idrizin, për të negociuar me kreun e PD-së, Lulzim Basha, për t’u bërë pjesë koalicionit opozitar. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të zhvilluar nga opozita e bashkuar këtë të enjte në Durrës, Basha u shpreh i hapur për të negociuar me Idrizin për të qenë edhe ai pjesë grupit opozitar. Basha deklaroi nga Durrësi se çdo individ apo grup politik që kërkon të jetë pjesë opozitës, do të jetë i mirëpritur në frontin opozitar.

“Mirëpres kërkesën e PDIU për të nisur bisedimet me PD dhe opozitën, bazuar në parimet dhe objektivat e shpallura, për çlirimin e vendit nga bashkëqeverisja me krimin, për t’i dhënë fund emergjencës kombëtare ku e ka futur vendin Edi Rama dhe bandës, me të cilën ai bashkëqeveris”, tha Basha.