MENU
klinika

Akademikët e Kosovës

E keqja si shkelje e ligjit dhe ajo e mbrojtur me ligj

25.09.2018 - 11:43

Nga Sali Bytyçi

E keqja është e keqe pa marrë parasysh kush e bën atë, ndërsa në një shoqëri ku sundon shteti i së drejtës, ai që bën një të keqe, nuk mund të ketë imunitet nga ndëshkimi prej ligjit. Po edhe e keqja si e tillë, i ka shkallët e saj. E keqja si shkelje e ligjit dhe E keqja e mbrojtur me ligj janë dy të këqija, po kjo e fundit është shumëfish më e dëmshme sepse, ndërsa e keqja si shkelje e ligjit mund të dënohet, e keqja e mbrojtur me ligj, mbetet e pandëshkuar.

Në shoqërinë tonë të dyja këto të këqija janë reale, shfaqen çdo ditë para syve tanë dhe, në të shumtën e rasteve, përveç që shihen si të tilla, mbeten të padënuara. E para ka gjasa që, së paku, moralisht të dënohet, ndërsa e dyta edhe për një kohë të pacaktuar do të jetë e mbrojtur me ligj. Po kur do të ndëshkohet edhe ai ligj që e mbron të keqen, këtë nuk jemi në gjendje ta parashikojmë.

Unë jam ndër të parët që kam reaguar, në opinionin “Kosova e veteranëve dhe e akademikëve të rremë”, për futjen në listat e veteranëve jo vetëm të atyre që nuk kanë qenë pjesë e luftës, por edhe të atyre që kanë qenë kundër luftës. Por në atë kohë jo vetëm që nuk ma vuri kush veshin për ato që shkrova, por listat filluan të fryheshin çdo ditë, sidomos në kohë fushatash zgjedhore!

Po në të njëjtin shkrim kam reaguar edhe për fryrjen e listave me akademikë të rremë, me njerëz me nga një gjysmë libri apo edhe pa libra fare, në mesin e të cilëve ka edhe plagjiatorë, që do të thotë vjedhës të pronës së huaj intelektuale!

Në rastin e fryrjes së listave të veteranëve kemi të bëjmë me shkelje të ligjit, sepse ligji është i qartë. Ky ligj qartë thotë kush mund të jetë veteran: personi që ka qenë pjesëmarrës në luftë deri në hyrjen e NATO-s, më 10 qershor 1999, është Veteran Luftëtar. Të tjerët, që kanë marrë pjesë për një periudhë, por që janë larguar për arsye nga më të ndryshme, mund të gëzojnë tituj të tjerë nderimi, por jo edhe atë të Veteranit Luftëtar! Ndërkaq Ligji për Akademinë, në këtë drejtim, nuk është shumë i qartë, po ka edhe një paragraf, sipas të cilit personi që propozohet nga seksionet e Akademisë për anëtar të Akademisë, pa marrë parasysh sasinë apo cilësinë e veprës, apo edhe mungesën fare të veprës, mund të zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Sipas këtij ligji, Hivzi Islami në Akademi ka futur Jusuf Bajraktarin, i cili dikur ishte nënkryetar i tij në Partinë Fshatare, pastaj edhe Mehmet Halimin, që dikur ishte mësues i tij në shkollën e mesme; Jusufi fut Frashër Demajn, si ish bisht të tij etj. Me nga një vepër apo edhe pa vepra fare në Akademi janë futur edhe Anton K. Berishaj, Isa Mustafa, me dy libra shkollorë universitar dhe me disa artikuj; Bardh Rugova, me një doktoratë e një fletushkë, Gjyljeta Mushkolaj, që i ka zbuluar të drejtat e njeriut dhe që është autore e disa doracakëve për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, e shumë të tjerë, Justina Pula…

Filozofia dhe politika e një paragrafi të Rregullores së Akademisë, që është edhe paragrafi i parë i një neni
Një paragraf, në sy të parë i pafajshëm, po tinëzar, gjendet në Rregulloren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Sipas këtij paragrafi, në Akademi, njësoj si një institucion privat, mund të hyjë i përzgjedhuri nga banorët e Akademisë dhe kjo krejt sipas ligjit.

Në Rregulloren për propozimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të 11 majit 2016, në Nenin 4, thuhet: 1. Seksionet e Akademisë paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të rregullt dhe të anëtarëve korrespodentë të Akademisë. 2. Këshillat e fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillat shkencorë të instituteve publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve korrespondentë të Akademisë.

Seksionet e Akademisë paraqesin propozimet për përzgjedhjen e anëtarëve të rregullt dhe të anëtarëve korrespodentë të Akademisë, kaq mjafton që personi i propozuar të bëhet ligjërisht anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Biografia pastaj plotësohet me të dhëna, si: të dhëna për pjesëmarrje në ndonjë kongres të profilit të caktuar, edhe nëse nuk ka mbajtur asnjë kumtesë aty, pastaj edhe me kumtesa njëfaqësh, kryesore të figurojë si arsyetim për të qenë anëtar i Akademisë (shih te profili i Isa Mustafës, në faqen e Akademisë), pastaj edhe me ndonjë fjalë rasti në ndonjë komemoracion (shih profili i Jusuf Bajraktarit). Tek një “akademik”, i fushës së elektroteknikës, më shumë se 10 kumtesa mund të kenë të bëjnë me temperaturën e dhomës(!).

Së pari, kur flasim për këtë nen të Rregullores së Akademisë, bie në sy radhitja e paragrafëve: paragrafi i parë thotë se propozimet i bëjnë seksionet e Akademisë kush mund të hyjë në Akademi, i dyti thotë se të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe të tjerët, institucionet publike, që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës!

Në sy të parë, këtu çdo gjë është në rregull. Në mënyrë demokratike kandidatët përzgjidhen nga seksionet e Akademisë, por edhe nga këshillat e institucioneve publike të Kosovës, po pas propozimeve kush vendos cili kandidat hyn në Akademi, i përzgjedhuri nga seksionet e Akademisë apo i përzgjedhuri nga këshillat e institucioneve publike? Kush vendos për atë që hyn në Akademi, seksionet e Akademisë apo këshillat e institucioneve shkencore e arsimore të Republikës së Kosovës? Vendosin Seksionet e Akademisë dhe rezultati dihet: në Akademi hyn i propozuari i seksioneve të Akademisë!

Se përparësi ka i përzgjedhuri nga seksionet e Akademisë, kjo shihet nga vetë radhitja e paragrafëve, ku i pari në radhë është paragrafi që iu jep të drejtë seksioneve të përzgjedhin kandidatët për të hyrë në Akademi. Por Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës jo vetëm që është palë, kryesore, me këshillat shkencore të institucioneve publike në përzgjedhjen e kandidatëve për të hyrë në Akademi, edhe më skandaloze është se kjo Akademi jo vetëm që i jep të drejtë vetes t’iu ndërhyjë këtyre këshillave në përzgjedhjen e kandidatëve në institucione të caktuara, por edhe t’ua zhvlerësojë përzgjedhjen e tyre, duke i dhënë përparësi të përzgjedhurit të seksioneve të veta, do të thotë të Akademisë!

Më konkretisht.
Nëse në zgjedhje, këshillat: e Fakultetit të Historisë, të Institutit të Historisë dhe të Institutit Albanologjik, propozojnë nga 4 historianë për të hyrë në Akademi, seksioni i historisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve ka të drejtë të propozojë po në këto institucione edhe nga 4 të tjerë!
Epilogu u zgjedhjeve dihet: gjithnjë do të hyjnë në Akademi të përzgjedhurit e seksioneve të Akademisë, ndërsa të përzgjedhurit e këshillave do të mbeten kandidatë deri kur t’i mbushin 65, me ç’rast edhe u skadon e drejta për të konkurruar në akademi.

A ka institucion publik në këtë botë, që paguhet nga djersa e taksapaguesve të një vendi, i cili vetë bën propozimin kush do të hyjë në institucionin përkatës dhe vetë vendos kush hyn në atë institucion?!
Çfarë do të ndodhte që çdo institucion i Republikës së Kosovës të ketë nga një nen të tillë, apo një paragraf të nenit, sipas të cilit vetë institucioni bën propozimin kush mund të hyjë në atë institucion? P.sh. nga një paragraf të tillë, sipas të cilit për hyrjen në atë institucion ta kishin fakultetet, ta kishin spitalet, ta kishin komunat, ta kishin shkollat fillore e të mesme, ta kishin çerdhet etj., etj.

Çfarë do të ndodhte me Republikën e Kosovës që një paragraf të tillë, pikën e parë të një neni, ta kishte Forca e Sigurisë së Kosovës, ta kishte Kuvendi i Kosovës, ta kishte Qeveria e Kosovës, ta kishte policia e Kosovës?!
Një nen të tillë mund ta ketë një organizatë vullnetare, organizatë private, po e cila kryen punë vullnetare, e jo një institucion publik, i ranguar si maja e institucioneve!

Politika ka krijuar një institucion në të cilin i privilegjon njerëzit e vet, me ç’rast një paragraf i tillë shërben për të ruajtur, kultivuar dhe ripërtërirë klanin, duke i plaçkitur, me anë të ligjit dhe të rregulloreve, paratë e taksapaguesve të Republikës së Kosovës!

Si përfundim, në të njëjtën kohë duhet të dalin para ligjit të gjithë ata që shkelin ligjin, siç është rasti me listat e fryra me veteranë të rremë, po edhe ligji klandestin duhet të dalë para ligjit, siç është rasti i Rregullores së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Nuk duhet të ekzistojnë njerëz me imunitet ndaj ligjit, e sidomos një gjë e tillë nuk duhet lejuar assesi të ndodhë në një institucion që pretendon të jetë institucioni më i lartë shkencorë e kulturor i një vendi, siç është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Listat e veteranëve duhet të shkarkohen nga veteranët e rremë, ndërsa Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës duhet rikrijohej nga fillimi, përndryshe, nuk mund të çlirohet nga kapja mafioze që i është bërë me dekada me radhë!dhe të vihet në baza të shëndosha. Për shërimin moral të Republikës së Kosovës,

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!