MENU
klinika

Dossier/ Lufta e dytë e ftohtë

Epoka Putin, kërcënim për ekzistencën e Trump…

22.09.2018 - 13:55

Lufta e Dytë e Ftohtë

Për gati dy dekada, marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë qenë tepër të tensionuara. Megjithëse të dy vendet kanë bërë marrëveshje për çështje të ndryshme, duke përfshirë tregtinë dhe kontrollin e armëve, tabloja e përgjithshme mbetet e zymtë. Shumë ekspertë të politikës ruse dhe amerikane nuk hezitojnë të përdorin fraza si “Lufta e Dytë e Ftohtë”.

Robert Gates, i cili ishte Sekretar i Mbrojtjes nën udhëheqjen e George W. Bush dhe Barack Obama, i përshkruante marrëdhëniet midis Obamës dhe Putinit si “helmuese” dhe i hidhte të paktën një pjesë të fajit Obamës. Gates tha “Çdo herë që NATO ose Rusia bën një lëvizje, ka një përgjigje. A mund të ndalojë kjo? Dilema është si ta bësh këtë pa i dhuruar Putinit një fitore të madhe.”

Edhe në Moskë njerëzit janë të alarmuar gjithashtu. Sergej Rogov, drejtor akademik i Institutit për Studimet e SHBA dhe Kanadasë në Moskë thotë “Kam kaluar shumë vite në llogoret e Luftës së Ftohtë, dhe nuk dua të vdes në llogoret e luftës së dytë,” tha Rogov. “Ne jemi përsëri në 1983 dhe kjo është e frikshme.”

Mënyra sesi Putin flet për Perëndimin dhe ambicia e tij për të krijuar një konservatorizëm anti perëndimor, është rrënjosur në ideologjinë e tij, ndryshe nga ideologjia komuniste e dikurshme, e cila shqetësimin kryesor kishte pushtetin dhe krenarinë ruse. Putini, i lindur në vitin 1952, u rrit në Leningrad, të cilin trupat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrethuan për afërsisht nëntëqind ditë. Babai i Putinit u plagos rëndë në luftë. Putin iu bashkua Komitetit të Sigurisë Shtetërore(KGB) në vitin 1975, kur ai ishte njëzet e tre vjeç dhe u dërgua në Gjermaninë Lindore.

Aty Putini përjetoi vetëm pakënaqësinë në rritje të shtetit. Në kohën kur ra Muri i Berlinit, në nëntor të vitit 1989, ai ishte në një kompleks diplomatik sovjetik në Dresden që merrej me dokumente të fshehta. Kur turma gjermanësh kërcënuan se do të hynin në ndërtesë, oficerët thirrën Moskën për ndihmë, por, sipas fjalëve të Putinit, “Moska heshti”.

Putini u kthye në Rusi dhe Perëndimi nuk kishte frikë nga fuqia sovjetike, Evropa Lindore dhe Qendrore ishin jashtë kontrollit të Moskës, dhe pesëmbëdhjetë republikat e Bashkimit Sovjetik ishin të gjitha duke ecur në rrugët  e veta. Një perandori e formuar nga Katerina e Madhe dhe Jozef Stalin po shpërbëhej.

Në Moskë, gazetarët perëndimorë mund të organizonin vizita në vendet e shkatërrimit të armëve bërthamore, që dikur kishin qenë bunkerë nëntokësorë të fshehtë dhe kampe burgu gjysmë të zbrazëta. Komisarë të njohur të Bashkimit Sovjetik, udhëheqës të KGB-së, Ushtrisë dhe Partisë Komuniste , dështuan në një përpjekje për të organizuar një grusht shteti, në gusht të vitit 1991 dhe u mbyllën në një burg famëkeq të quajtur “Pushimi i Lundruesve”. Besnikë të tjerë të rangut të lartë, duke refuzuar gjykimin, u vetëgjykuan.

Rënia e shtetit perandorak nënkuptonte humbjen e dy milionë miljeve katrorë territor. Dhjetëra miliona rusë e gjetën veten “jashtë vendit”. Përveç lirive të reja të shprehjes, udhëtimit, besimit etj, kishte gjithashtu një ndjenjë çoroditjeje e poshtërimi.

Në fjalimet dhe intervistat, Putini rrallë përmend rënien e komunizmin dhe Bashkimit Sovjetik, ai i kujton ato vite si një  periudhë kaosi, në të cilën partnerët perëndimorë u përpoqën të detyronin Rusinë të gëlltiste gjithçka që nga zgjerimi i NATO-s drejt lindjes deri tek pushtimi i aleatëve të saj sllavë në ish-Jugosllavi.

Kjo histori është e vërtetë, por në të injorohen disa fakte. Perëndimi e mirëpriti Rusinë në aleancën ekonomike të G-8. Dhuna në Ballkan ishte më e keqja në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe pa ndërhyrje vështirë se do të kishte ndaluar. Zgjerimi i NATO-s nuk ishte problemi i vetëm për Rusinë. Polonia, Çekosllovakia dhe vende të tjera në rajon ishin sovranë dhe donin mbrojtje.

Politikanët amerikanë u shqetësuan se riorganizimi në Evropë do të kishte pasoja të rënda. Klinton dhe këshilltarët e tij ishin të vetëdijshëm se forcat reaksionare politike në Rusi i konsideronin Shtetet e Bashkuara si shfrytëzuese dhe shpresonin të merrnin kontrollin e shtetit.

Në vitin 1996, gjatë një takimi në Moskë, Clinton shkoi të takohej për një mëngjes me Talbottin, një analist të famshëm, në kodrat Sparrow, pranë Universitetit Shtetëror të Moskës. Klinton e kishte njohur Talbottin që kur ishin studentë në Oksford. Ai nuk pendohej për zgjerimin e NATO-s apo vendimin për të luftuar forcat serbe në Bosnje. Por ai e dinte se po ia vështirësonte jetën politike Boris Jelcinit, presidentit të atëhershëm rus.

Më parë atë vit, Jelcin ishte takuar me Talbottin. “Nuk më pëlqen kur SHBA tregon superioritetin e saj,” i kishte thënë ai. “Vështirësitë e Rusisë janë vetëm të përkohshme. Rusia do të ringjallet! E përsëris: Rusia do të ringjallet.”

Kur filloi periudha zgjedhore e vitit 1996, pjesa më e madhe e vendit bënte Jelcinin përgjegjës për një kolaps në shërbimet bazë, hiperinflacionin, korrupsionin, privatizimin kleptokratik dhe rënien ekonomike aq të rëndë sa Depresioni i Madh. Shumica e rusëve nuk fajësuan sistemin e vjetër por të riun. Jelcin, duke përfituar nga mbështetja e oligarkëve dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, arriti të fitonte kundër rivalit të tij komunist, por vazhdoi të pinte shumë, pavarësisht numrit jo të pakët të atakëve të zemër dhe në vitet e fundit të tij në pushtet, ai ishte shpesh zhgënjyes.

Putin tregoi qartë që në fillim se nuk besonte tek ai lloj sistemi. Ai e shikonte sistemin e atëhershëm si  jofunksional, dhe donte të vendoste autoritetin e vet me të vetmen mënyrë që dinte: me dorë të hekurt dhe nga lart-poshtë. Ai e zëvendësoi anarkinë e lirë të Jelcinit me diçka më të sistematizuar. Çdo aspekt i vendit, jeta politike, duke përfshirë madje edhe mediat, kontrolloheshin nga qeveria që ai ndërtoi. NTV, televizioni kombëtar që ishte në pronësi të një oligarku me emrin Vladimir Gusinsky, transmetoi diskutime rreth korrupsionit dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut. Putini ishte tepër i pakënaqur. Brenda pesë muajve nga marrja e pushtetit, ai dërgoi trupat e armatosura të Ministrisë së Brendshme për të sulmuar selinë e Gusinsky dhe në vitin 2001, Gusinsky ishte detyruar të hiqte dorë nga NTV dhe të gjithë u bindën se ai ishte larguar nga vendi. Që atëherë, televizioni ka qenë nën kontrollin e rreptë të shtetit.

Putin, në vitet e tij të para në detyrë, ishte tepër i kujdesshëm me Perëndimin. Ai ishte lideri i parë i huaj që thirri Xhorxh W. Bush pas shkatërrimit të kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë. Madje, ai përmendi në Bundestag më vonë atë muaj idenë e anëtarësimit rus në NATO.

Pushtimi i Irakut nga Amerika, të cilin Putini e kundërshtoi, bëri që mendimet e Putinit të ndryshonin. Pavarësisht se Bush kishte bërë përparime në lidhje me disa çështje bilaterale, deri në vitin 2007 Putini ishte thellësisht i zhgënjyer dhe thoshte se Perëndimi po e trajtonte Rusinë si një “vasal” të vetin.

Putin ishte i bindur se ashtu si fuqitë perëndimore, edhe Shtetet e Bashkuara, mbi të gjitha, kishin tendencën për të mos e trajtuar Rusinë si një partner njësoj si gjithë të tjerët.

Ndërsa në Rusi, Putin vazhdonte me konceptimin autoritar, nacionalist për shtetin rus. Ai e dinte se rënia e komunizmit dhe e fuqisë sovjetike kishte lënë boshllëqe, të tilla si mungesa e një “ideje kombëtare” për të zëvendësuar marksizmin-leninizmin. Kur Putini u kthye në Presidencë për një mandat të tretë, në vitin 2012, ai ndjeu nevojën për të zhvilluar një ideologji ruse të tijën.

Megjithëse Putini u rrit nën ateizmin sovjetik, ai përsëri kritikonte amerikanët dhe evropianët laikë për “hedhjen poshtë të rrënjëve të tyre”, duke përfshirë vlerat e krishtera që përbënin bazën e civilizimit perëndimor sipas tij.

Këshilltari i Obamës për sigurinë kombëtare në atë kohë, Tom Donilon, vërejti se shqetësimet e Putinit ishin të përqendruara në stabilitetin politik të brendshëm dhe kërcënimet e jashtme. “Që nga fillimi i kandidaturës së tij të dytë si President, sipas gjykimit tim, ai po e çonte Rusinë në armiqësi të madhe me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin” tha ai. Në shtator 2013, pasi Putini nuk pranoi kërkesën për ta kthyer Edward Snowden, Obama anuloi një samit të planifikuar në Moskë. “Komunikimi mes vendeve u shkëput me të vërtetë pas kësaj,” tha Donilon.

Dhjetëra gazetarë janë vrarë në Rusi gjatë këtij dhjetëvjeçari dhe gjysmës së dhjetëvjeçarit të kaluar; grupet që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe marrin fonde nga jashtë, janë regjistruar si “agjentë të huaj”. Dhe televizioni rus ka qenë gjithë kohën mbështetës i qeverisë.

Putini nuk i mbush kampet e burgut me “armiqtë e popullit”, siç bënte Stalini, por, në vend të kësaj, bën shembull disa personazhe të njohur, si biznesmeni Mikhail Khodorkovsky. Ka shumë figura në jetën publike të cilët nuk lejohen të shfaqen në ndonjë diskutim apo program lajmesh. Edhe në epokën e internetit, më shumë se tetëdhjetë për qind e rusëve informohen më tepër nga televizioni. Manipulimi i televizionit është një faktor vendimtar që ka ndikuar në popullaritetin e Putinit.

Në tetor të vitit 2012, me rastin e ditëlindjes së gjashtëdhjetë të Putinit, Dmitri Kiselyov, drejtuesi i emisionit të preferuar televiziv të Putinit, foli gjatë për të. Televizioni kombëtar transmetoi një dokumentar për Putinin, duke shkuar për vizitë në zyrën e tij dhe në shtëpinë në periferi të Moskës. Programi e portretizoi Putinin si një njeri me jetë tepër aktive, i cili zgjohej në tetë e tridhjetë, notonte në distanca të gjata, hante mëngjes modest, dhe punonte deri natën vonë.

 

Në shkurt, 2014, disa orë pasi presidenti Viktor Janukoviç i Ukrainës, i lodhur nga protestat, u largua nga Kievi, Putini mori vendimin për të pushtuar Krimenë. Ai kishte frikë se Ukraina do t’i kthente shpinën Rusisë dhe do të shkonte drejt Evropës. Michael Morell, një ish-zëvendës drejtor i C.I.A., tha se rënia e Yanukovych e bëri Putinin të shqetësohej për fuqinë e tij.

Putini dhe anëtarët e rrethit të tij e panë gjithashtu luftën civile siriane si një mundësi për të ndaluar një lloj trendi të ri që kishte filluar me pushtimin e Irakut dhe kishte vazhduar me rënien e diktatorëve në Egjipt dhe Libi. Siç bëri të ditur ministri i Mbrojtjes i Rusisë Sergey Shoigu, ndërhyrja e Rusisë në Siri “ndihmoi në zgjidhjen e detyrës gjeopolitike për thyerjen e zinxhirit të ‘revolucioneve të ngjyrave’.” Televizioni rus, natyrisht, e pasqyroi situatën pa ndonjë brutalitet apo abuzime.

Qeveria e Ukrainës donte që SHBA ta ndihmonte me armët e përparuara në luftën kundër rebelëve rusë. Evelyn Farkas, zyrtarja më e lartë e politikës së Pentagonit për Rusinë, mbështeti fuqimisht kërkesën ndërsa Obama dhe të tjerët në ekipin e tij kombëtar të sigurisë e refuzuan. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara ofruan ndihmë duke vënë në dispozicion të Ukrainës automjetete, radarë etj. Në një dëshmi para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, në 2014, Farkas i quajti veprimet e Rusisë “një fyerje ndaj rendit ndërkombëtar që ne dhe aleatët tanë kemi punuar për ta ndërtuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

Farkas dha dorëheqjen në tetor të vitit 2015 dhe përfundimisht u bë një këshilltare e politikës së jashtme të Hillary Clinton, e cila ndonjëherë zgjidhte përdorimin e forcës ushtarake ndërkohë që Obama nuk e bënte asnjëherë këtë.

 

Epoka Putin, kërcënim për ekzistencën e Trump…

Shumë evropianë perëndimorë kanë frikë se Perëndimi, aleancat dhe institucionet e krijuara pasluftës janë të rrezikuara nga Rusia por edhe Trump, i cili ka shprehur hapur mospëlqimin për NATO-n dhe ka shprehur mbështetjen ndaj Brexit dhe lëvizje të ngjashme anti-evropiane, mund të konsiderohet rrezik gjithashtu.

“Për sa kohë Angela Merkel do të jetë kundër Donald Trump?” Pyeti Stephen Sestanovich, i cili ishte një këshilltar i Rusisë për Reagan dhe  Klinton. Presidenti i ri, tha ai, po bëhet “një rrezik për botën”, dhe Gjermania natyrisht duhet të jetë në kundërshtim me të.

 

Strobe Talbott, ish-këshilltar i Klintonit, tha: “Ekziston një rrezik shumë real, që ne të humbasim një luftë të dytë të ftohtë dhe humbja do të jetë kryesisht për shkak të respektit që Trump ka për Putin.

I pyetur se cilat do të ishin pasojat e humbjes së një konflikti të tillë, Talbott tha “Do të duhen vite të tëra për t’u kthyer në vendin ku ne, Shtetet e Bashkuara, kampionët të rendit botëror të liberalizmit, ishim pesë vjet më parë.” “Një skenar edhe më i rëndë – tha Talbott, do të ishte kthimi në një botë të paqëndrueshme dhe me konflikte të vazhdueshme. Me përhapjen e fuqive bërthamore, është e lehtë të shkohet në këtë pikë”.

Andrei Kozyrev, i cili shërbeu si ministër i jashtëm në qeverinë e Jelcinit, thotë “Është ndoshta hera e parë që duket se kemi të njëjtin lloj njerëzish në të dyja anët. Ndoshta kjo është arsyeja pse ata nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin. Ata nuk kujdesen aspak për demokracinë dhe vlerat, por për suksesin personal “.

“Putini pëlqen njerëz që bëjnë biznes dhe nuk flasin për të drejtat e njeriut”, tha një ish këshilltar i politikës ruse.

Administrata e Obamës, në ditët e saj të fundit, kishte dëbuar tridhjetë e pesë zyrtarë rusë. Kremlini premtoi dënimin “reciprok” por më 30 dhjetor Putin tha se nuk do të hakmerrej.

Trump nuk ka folur shpesh për marrëdhënien e tij me Rusinë. Gjatë fushatës presidenciale, ai tha, “Nuk e kam takuar kurrë Putin, nuk e di kush është Putin”. Në një konferencë shtypi më 16 shkurt, Trump u pyet përsëri nëse dikush në fushatën e tij kishte ka qenë në kontakt me Rusinë, dhe ai ka thënë: “Askush mesa di unë”.

Deri në mes të shkurtit, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës kishin grumbulluar shembuj të shumtë të kontakteve mes rusëve dhe bashkëpunëtorëve të Trump. Thuhet se komunikimet mes figurave ruse të inteligjencës përfshinin biseda të shpeshta për Paul Manafort, kryetarin e fushatës së Trump, i cili më parë kishte punuar si konsulent politik në Ukrainë.

 

Kremlini urdhëroi që mediat ruse të ishin më të rezervuara me lajmet e tyre për Presidentin e ri.

Konstantin von Eggert, një analist politik dhe prezantues në televizionin rus, bëri të ditur se : “Nuk është se tani nuk do të flasim fare për të, por do të flasim më pak dhe do të jemi më të balancuar”. Kremlini me sa dukej kishte vendosur që mediat shtetërore ruse të mos rrezikonin të dukeshin “tepër fyese ndaj Trump “.

Alexey Venediktov, kryeredaktori i Ekoos së Moskës dhe një figurë me kontakte me elitën politike ruse, tha: “Trump është tërheqës si figurë për njerëzit në Rusi”. Venediktov  u shpreh se çdo mbështetje që shteti rus i jepte Trump ishte një lëvizje që shtonte rivalitetin me Perëndimin.

Rusia e Putinit duhet të gjejë mënyra për të zhdukur dobësitë e saj ekonomike dhe gjeopolitike, dhe po të mos kishte arsenalin e pakrahasueshëm bërthamo, do të ishte krejtësisht e paqartë se sa e rëndësishme do të ishte si një fuqi botërore. “Pra, ne duhet të krijojmë turbullira brenda Amerikës,” tha Venediktov. “Një vend që pushtohet nga turbullira mbyllet në vetvete dhe rrugët e Rusisë janë të hapura.”

Evan Osnos u bashkua me The New Yorker në vitin 2008, dhe mbulon politikën dhe çështjet e jashtme. Ai është autori i “Epoka e Ambicies: Të kërkosh Pasurinë, të Vërtetën, dhe Besimin në Kinën e Re

 

David Remnick ka qenë redaktor i The New Yorker që nga viti 1998 dhe një shkrimtar i stafit që nga viti 1992. Ai është autori i “Ura: Jeta dhe Ngritja e Barak Obamës”.

 

Joshua Yaffa është një kontribues i Nju Jorkut me seli në Moskë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN