Juristi i Hipotekës në Korçë, Elvis Gjata, do të vazhdojë të mbetet në burg sipas vendimit të Gjykatës së Korçës.
Elvis Gjata u akuzua për mashtrim të kryer në bashkëpunim, ku konkretisht ai ka përfituar nga një çështje gjyqësore penale, ku i kërkoi një gruaje nga Librazhdi rreth 8 mijë euro për të ndërhyrë në zgjidhjen e saj.
Rasti është denoncuar në Prokuroninë e rrethit Korçë, nga vetë të dëmtuarit e çështjes, dhe menjëherë ka ardhur dhe arrestimi i juristit Gjata.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit:
Elvis Gjata, 31 vjeç, banues në Korçë.
Si edhe filloi procedimi penal dhe u bë shpallën në kërkim shtetasit E.F, 32 vjeç dhe K.G, 30 vjeç, të dy banues në Korçë.
Pasi këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, nëpërmjet mashtrimit, dyshohet se në muajin maj të vitit 2018, i kanë përvetësuar shumën prej 8000 Euro, me qëllim zgjidhjen e një problemi gjyqësor, shtetases D.H, 36 vjeçe, banuese në Librazhd. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë bazuar në nenin 143/2 të Kodit Penal”.