MENU
klinika

Festivali i Filmit

“Gjyqi”, përmes fjalëve të regjisorit Askold Kurov

22.09.2018 - 11:20

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut vazhdon të sjellë krijime të arrira kinematografike në Akademinë “Marubi”. Një nga filmat-dokumentarë më interesantë është i titulluar “Gjyqi” (The Trial).

Dokumentari është një krijim i regjisorit të lindur në Uzbekistan, Askold Kurov. Kurov është një mik i Oleg Sentsov, njeriu për të cilin ky dokumentar u krijua. Sentsov është një regjisor dhe producent filmash në Ukrainë. Ai u vu në qendër të vëmendjes pas aneksimit të Krimesë nga rusët në vitin 2014. Ishtë një kundërshtar aktiv i pushtimit derisa në maj të 2014 u arrestua nga rusët me akuzën e terrorizmit. Sentsov u kthye në simbolin e qëndresës së Krimesë dhe qëndresa artistike për rastin e regjisorit kulmoi me filmin-dokumentar “Gjyqi” të Kurov.

Në një intervistë për Konica.al, regjisori Askold Kurov na tregon në detaje historinë e Sentsov, peripecitë e tij në burgjet e Rusisë dhe procesin gjyqësor që ndoqi rastin e tij. Kurov na tregon për sekretet e filmit dhe pse ai ndërmori një sipërmarrje artistike të tillë.

Intervista e plotë:

Cili është subjekti dhe figura simbol e dokumentarit ?

Personazhi për të cilin është bërë filmi, Oleg Sentsov është një regjisor dhe producent filmash ukrainas i cili u lind dhe u rrit në Krime. Drama e Oleg nisi gjatë përpjekjeve të rusëve për të aneksuar Krimenë. Sentsov është rus me origjinë dhe flet mirë gjuhën ruse, por e ndjen veten qytetar të Ukrainës dhe ky fakt ishte motivi pse ai luftoi për kauzën e Krimesë. Në 2014, pas aneksimit të Krimesë, Sentsov u arrestua bashkë me 3 miq të tij, me pretekstin se ata po planifikonin sulme terroriste.

Të shpjegosh historinë e Olegut nuk është e thjeshtë. E kam takuar për herë të parë në 2011 kur ai në fakt ishte duke xhiruar filmin e tij të parë. Nuk kemi patur asnjë bisedë ku të kemi ndarë pikëpamje politike me njëri-tjetrin.

Cila ishte krijimtaria e Sentsov para se të bëhej simboli i qëndresës në Krime?

Pasioni i Sentsov për filmin ishte shumë i madh. Mjaft të përmend faktin se Oleg ishte kampioni i Ukrainës në eSports. Ishte një ‘gamer’ profesionist dhe ishte pronari i një prej klubeve më të famshëm të eSportit në Ukrainë. Filmi i tij i parë ishtë si një autobiografi dhe vetëm që ta realizonte dhe të kishte paratë e mjaftueshme për realizimin ai shiti dhe klubin e tij dhe hoqi dorë nga lojërat. Më pëlqen krijimtaria e Oleg, sepse ai nuk ka ndjekur ndonjë shkollë filmi, ai i realizonte vet filmat. Kishte mësuar vet se si të bënte një film të mirë. Mund të them se ai është një nga regjisorët më të mirë të paktën në Ukrainë. Pasi ai publikoi filmin e tij të parë, pata mundësinë të lexoj skenarin e filmit të dytë dhe u mahnita.

Cilat ishin reagimet ndaj filmit, qoftë në publik, qoftë në media?

Premiera e filmit ishte vjet në “Berlinale” në Berlin. Një nga festivalet më të rëndësishëm të filmit dhe ishte dicka jo e zakonshme për Rusinë që të përfaqësohej me një film në këtë festival . Nuk ndodh cdo vit që Rusia të marrë pjesë në “Berlinale”. Fatkeqësisht, media ruse nuk tregoi interes ndaj këtij filmi, nuk e shfaqi në televizion e as nuk bëri qoftë dhe një kronikë lajmesh apo një emision për “Gjyqin”. Por duhet të jem i sinqertë dhe të them se pati dhe disa media totalisht të pavarura të cilat treguan për hitorinë e filmit dhe të Oleg Sentsovit vet. Një nga gjërat për të cilat më vjen më tepër keq është se Sentsov nuk pati kurrë mundësinë ta shohë filmin sepse ai është në një burg të sigurisë së lartë.

Hera e fundit që takuat Sentsovin?

Hera e fundit që e takova ishte në qershor. Në fakt u habita disi që më lanë ta takoja në burg. Oleg ishte shumë i interesuar të dinte cdo gjë që po ndodhte në botë. Cfarë po ndodhte me Krimenë, me festivalet e filmit dhe me cështje të tjera që i diskutuam bashkë në një bisedë prej 45 minutash.

Cfarë do të ndryshojë “Gjyqi” për fatin e Sentsov?

Filmi ndikoi jashtëzakonisht në përhapjen e rastit të Sentsov. Njerëzit nisën të kuptonin se cfarë vërtet kishte ndodhur dhe gjithashtu pati një solidarizim të madh për rastin dhe nga rrethet artistike botërore. Duhet të përmend këtu Akademinë Evropiane të Filmit e cila organizoi shumë takime e protesta për rastin e Oleg Sentsovit. Që pas grevës së urisë së Olegut që zgjati mbi 80 ditë, periudhë ku ai ndoshta dhe mund të ishte larguar për në botën tjetër, lëvizjet kundër aneksimit të Krimesë u futën në një fazë depresioni dhe nuk pati më protesta si në fillim. Filmi shërbeu për ndërgjegjsimin e tyre dhe shumë e shumë njerëz u bashkuan për të kontribuar në film, por edhe për kauzën e Krimesë. Madje të shumtë ishin njerëzit me pushtet të cilët e mbështetën fushatën tonë. Vlen të përmend Presidentin Macron apo Kancelaren Angela Merkel.

Pse zgjodhet të bënit një film për Oleg, nuk është e lehtë të marrësh kosto për një personazh të tillë?

Si një shok i Olegut unë duhej të bëja dicka. Nuk isha përballur ndonjëherë me procesë gjyqësore më parë, shihja faktet se si ishin, e vërteta ishte aty, por askush nuk e shihte. Isha thjesht i pafuqishëm pët ta ndihmuar në “Gjyq”. Kjo ishtë mënyra ime për ta ndihmuar Olegun. Nuk është vetëm për Olegun është për lirinë.

Si mund të ndihmojë kinemaja në kauzat për të drejtat e njeriut duke patur parasysh se jemi dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut?

Të jem i sinqertë nuk është se shoh ndonjë rezultat konkret. Megjithatë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë. Nuk duhet që të heqim dorë së luftuari për kauza të tilla. Duhet të krijojmë e të krijojmë mënyra të reja për të të bërë presionin e duhur që kauzat tona të adresohen në mënyrë efektive. Olegu e bëri pjesën e vet, u sakrifikua. Shkoi në një grevë urie që të burgosurit politikë në Ukrainë të liroheshin. Ai u kthye në simbolin e lëvizjes. Ne kemi detyrimin për mos ta lënë me kaq.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN