MENU
klinika

Formula 1

Hamilton triumfon në Singapor, titulli më afër

16.09.2018 - 16:06

Nuk ka pasur surpriza gara e Formula 1 në Singapor. Hamilton është nisur i pari në start dhe i pari e ka përfunduar garën, duke thelluar kështu diferencën e pikëve me Vettel sa i përket titullit kampion.

Piloti i Mercedes ka bërë një garë më vete, pa u shqetësuar nga askush, madje edhe kur në pistë ka hyrë “safety car”. Hamilton mjafton të administrojë garat e ardhshme dhe titulli nuk do të jetë problem.

I dyti u rendit Max Verstappen me Red Bull, ndërsa i treti Sebastian Vettel me Ferrari, që ashtu si britaniku ruajtën pozicionet që kishin në fillimin e garës. Gara e Singaporit u zhvillua me drita, por spektakli në pistë mungoi dhe i vetmi që fërkon duart nga kjo garë është Hamilton, që tashmë ka 40 pikë avantazh karshi Vettel në renditjen e përgjithshme, me 6 gara nga fundi.

hamilton ne singapor
hamilton ne singapor

Nuk pati ndryshime pozicioni për 6 pilotët e parë, ku Bottas (Mercedes) u rendit i katërti, Raikkonen (Ferrari) i pesti dhe Ricciardo (Red Bull) i gjashti, ashtu sikurse edhe e nisën garën. në “top-10” u klasifikuan edhe Alonso (McLaren), Sainz (Renault), Leclerc (Sauber) dhe Hulkenberg (Renault).

As starti, as makina e sigurisë e as ndalesa për ndërrimin e gomave nuk dhuroi ndonjë përmbysje të garës, që rrodhi e qetë për 61 xhiro. Gara nis me një aksident pas disa kthesave (Ocon përplaset me muret mbrojtëse) dhe në fushë hyn makina e sigurisë (kjo gjë ka ndodhur në të gjitha garat e zhvilluara në pistën e Singaporit), ndërkohë që Vettel arrin të parakalojë Verstappen.

Në krye është Hamilton, që nuk e ka të vështirë të ruajë kreun dhe situata është e qetë për rreth 15 xhiro, kur nisin ndalesat e para. Vettel hyn i pari e pas tij Hamilton e Verstappen, por ai që përfiton është piloti holandez i Red Bull, që kur del nga bokset lë pas gjermanin e Ferrarit dhe rimerr pozicionin që pat humbur në start.

hamilton
hamilton

Në gjysmën e garës, 6 pilotët e parë kanë të njëjtat pozicione si dhe në startin e saj, ndërkohë që parakalimet janë të pamundura në këtë pistë të ngushtë dhe për pasojë spektakli mungon e gara është e mërzitshme.

Në momentin e parakalimeve Hamilton has vështirësi e kjo favorizon Verstappen që afrohet e tenton surprizën, por pa rezultat. Edhe 20 xhirot e fundit janë një monotoni, pilotët kanë një distancë prej 3-4 sekondash nga njëri-tjetri dhe e tillë gara shkon deri në fund edhe pse Bottas-Raikkonen-Ricciardo duelojnë për vendin e katërt.

Hamilton kori një sukses të merituar në pistën e vështirë të Singaporit, duke u konfirmuar në formë të shkëlqyer dhe tashmë sheh më pranë titullin e pestë kampion në karrierë, ndërkohë që Ferrari e Red Bull nuk janë në gjendje ta rivalizojnë makinën gjermane.

 

Vettel tentoi sot një strategji ndryshe, me një tip tjetër gomash, po pa sukses, pasi Ferrari nuk ishte i shpejtë sa pritej. Gara e radhës pas dy javësh (30 shtator) në Rusi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN