Pas kërkesës së katër anëtarëve të Bordit për dorëheqjen e tij, ka reaguar kreu i Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala.
Në një deklaratë për mediat, ai thotë se angazhimi në procesin e digjitalizimit për qarqet e Tiranës dhe Durrësit ka qenë dhe është i bazuar në Strategjinë Kombëtare të miratuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012, gjithashtu bazuar në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
“Prej më shumë se një viti kur nisëm të angazhohemi me të tre qarqet dhe deri sa e finalizuam me sukses procesin në to, sigurisht që kemi hasur dhe vështirësi dhe të papritura, por gjithçka është tejkaluar”, thotë ai.
“Në rastin e fundit të zbatimit të kalimit nga analogu në numerik për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, me një popullsi dhe territor disafish më shumë u shfaqën problematika, kryesisht nga mospajisja në kohë e qytetarëve me dekodera. Ndaj dhe u vlerësua shtyrja 4 mujore e procesit, si një zgjidhje tranzitore që u jepte kohë qytetarëve që nuk mundën të pajisen me dekoder brenda afatit. Për të qenë të sigurtë, që ashtu sikundër nuk u la asnjë operator audioviziv jashtë këtij procesi, të mos mbetej pa marrë shërbim përmes teknologjisë numerike dhe asnjë qytetar”, vijoi ai më tej.
Kreu i AMA-s thotë se askush nga kolegët në Bord, përfshirë dhe ata të qëndrimit të sotëm mediatik, në asnjë rast nuk kanë përmendur ndonjë kontestim mbi procedimin, për shpalljen e afatit për fikjen e sinjaleve analoge brenda territorit të qarkut, për renditjen e kanaleve në platforma etj.