Real Madrid nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në Bilbao, duke u ndalur në javën e katërt të La Liga-s. Rasti i parë i rrezikshëm i ndeshjes ka ardhur në minutën ne 23-të, me portierin e Real Madrid, Courtois, që ka marrë duartrokitjet e publikut vendas pas pritjes së mrekullueshme.
Kundërpërgjigjja e madrilenëve ka ardhur në të 30-n me Asensio, goditja e të cilit është ndalur nga portieri i bardhekuqve, Simon. Sfida Muniain-Courtois është përsëritur në minutën e 32-të, por këtë herë ka qenë lojtari i Bilbao-s që ka fituar, duke kaluar në avantazh vendasit.
Katër minuta më vonë ka ardhur edhe goli i dytë i Bilbao-s, por që është anuluar për pozicion jashtë loje. Pjesa e parë është mbyllur me një goditje të rrezikshme të Luka Modric nga jashtë zone, me Simon që ka bërë një tjetër pritje shpëtimtare.
Portieri i vendasve, gjithsesi, ka qenë i detyruar të dorëzohet në pjesën e dytë pas goditjes me kokë të Isco-s, i cili ka kthyer barazinë në takim. Të dy ekipet kanë luajtur hapur dhe janë vënë në kërkim të golit të fitores, që nuk ka ardhur dhe ndeshja është mbyllur në barazim.