Nga Andreas Dushi
“Botimet Françeskane” me përgjegjës Át Vitor Demaj dhe Át Mirash Marinaj, së fundmi kanë botuar librin “Gjergj Kastrioti, Athleta Christi”, një përzgjedhje studimesh të bëra nga klerikët katolikë. Ky libër vjen me rastin e “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut” në 550 vjetorin e vdekjes së tij.
Në të vërtetë, libri duhet parë si vazhdim i traditës së klerit katolik për nderimin e figurës së Heroit Kombëtar. Qysh 50 vjet më parë, pra me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, meshtarët katolikë shqiptarë që komunizmi i kishte zënë në Romë apo në të tjera vende larg Shqipërisë komuniste qenë mbledhur dhe patën zhvilluar një konferencë në nder të heroit. Kumtesa nga ajo konferencë janë përfshirë edhe në këtë libër.
Pas një parathënieje të shkurtër, në vepër mund të lexohet një jetëshkrim i shkurtër i Gjergj Kastriotit, përpiluar nga Át Paulin Margjokaj me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij.
“Lulja e të gjith Herojve” – kshtu e quejti Skanderbegun Grigor Perliviçi.” fillon kumtesa e Margjokajt.
Më pas, albanologu i madh italian Át Zef Valentini ka shkruar një studim mbi figurën e Skënderbeut në Evropën e kohës kur ai jetoi.
“Europa e kohës së Skanderbegut asht a s’asht Europë. Të thomi se ishte e prosalindun.” shkruan Valentini i cili fillimisht sqaron kontekstin e kohës e më pas, mënyrën se si në këtë kohë u shfaq edhe Skënderbeu.
Át Vinçenc Malaj, ftuar nga Ernest Koliqi që drejtonte Qendrën e Studimeve Shqiptare në Romë ka mbledhur përfytyrimet e Skënderbeut duke kërkuar të provojë se cili është ai më autentiku. Kjo sporvë, gjithashtu në trajtë kumtese është botuar në libër.
Një shkrim i veçantë është ai i Át Luigj Marlekajt i cili, për të parën herë boton jetën e Gjergj Kastriotit të shkruar nga një historian italian, bashkëkohës i tij rreth viteve 1500.
“Në Biblioteken Kombëtare Qendrore të Firenzes gjindet një dorëshkrim me titull ‘Vite d’uomini illustri antichi e moderni’, ndër të cilat asht edhe jeta e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.” fillon Marlekaj duke na dhënë indikacionet e dorëshkrimit që ai ka gjetur
Sërish është Át Zef Valentini i cili, sikurse dihet është italian, vjen me një shkrim të titulluar “Gjergj Kastrioti, pasqyra e atëdhetarit shqiptar”.
“Pak fatosa të vjetër janë kaq të njoftun e pak, drue, janë kaq të panjoftun sa Gjergj Kastioti.” cilëson që në krye të herës Valentini, duke vënë në pah nevojën që figura e Heroit Kombëtar ka nevojë të studiohet më shumë.
I cilësuar si “i fundit i fraçeskanëve të mëdhaj”, Át Vinçenc Malaj vjen edhe me një shkrim rreth Skënderbeut duke treguar rëndësinë e një bashkërendimi bibliografik për të, e kështu mund të krijohet një histori më e qartë me dëshmi bindëse për jetën e tij.
“Figura e lavdishme dhe e pavdekshme e Gjergj Kastrioti Skanderbegut asht për shqiptarët dhe arbëreshët, për bashkatdhetarët e pasardhësit, vërtetë magjepsëse – kisha me than gati e shejtë.” nis shkrimi i Malajt, duke vënë në dukje qysh në fillim rëndësinë e kësaj figure çka përligj edhe kërkesën e tij për një bashkrëndim bibliografik.
Át Luigj Marlekaj, i njohur mes të tjerash edhe si folklorist, ka shkruar për Skënderbeun në traditat popullore shqiptare, se si ky i fundit ja ka dalë të bëhet pjesë e pandashme e tyre.
“Rrallëherë nji popull ka ruejt kujtimet e së kaluemes së tij me aq krenari e përmallim me të cilin populli shqiptar kujton epokën e ndritun të heroit të tyne kombtar Gjergj Kastriot Skanderbegut.” thotë Marlekaj duke mos lejuar asnjë dyshim për kombëtarsinë si të vetmen arsye të veprimtarisë së Gjergj Kastriotit.
Arkeologu i parë shqiptar, historiani, folkloristi e mësuesi Át Shtjefën Gjeçovi shkruan për përkrenaren e Skënderbeut e cila gjendet në Vienë duke e cilësuar atë si “burrë me briena” dhe duke e përshkruar me detaje, qoftë përkrenaren në fjalë, qoftë simbolet që ajo përmban.
Ndërsa historiani Át Marin Sirdani hedh dritë mbi ato për të cilat mund të fajësohet heroi Skënderbe.
Në fund është lidhja e Kastriotit me françeskanët shqiptarë të cilët, me ardhjen e pushtimit turk qenë të vetmit meshtarë katolikë që nuk e braktisën Shqipërinë. Kështu Skënderbeu do të krijonte medoemos lidhje me to. Këto lidhje janë pasqyruar në dy shkrime, i pari i Át Basilio Pandzic dhe i dyti i Mons. Antonin Fishta.
Át Gjon Shllaku mbyll këtë cikël studimesh me disa dokumente historike që gjendeshin në Arkivin e Françeskanëve në Shkodër ku flitet për Skënderbeun dhe marrëdhëniet në arenën e administrimit kombëtar dhe në diplomacinë ndërkombëtare.