MENU
klinika

Akuzat për korrupsion

Krimet e Rënda rikthejnë në burg Dashamir Xhikën

01.09.2018 - 20:06

Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, i cili ndodhej që prej muajit qershor në arrest shtëpie, do të rikthehet në burg me vendim të gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. 

Përmes një njoftimi, policia thotë se ka arrestuar Dashamir Xhikën, pas ndryshimit të masës të vendosur nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë.

Specialistët e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ekzekutuan Vendimin Penal Nr.94, datë 01.09.2018, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në shtëpi”, në “Arrest me burg” në ngarkim të shtetasit nën hetim Dashamir Xhika, 47 vjeç, banues në Tiranë (ish-Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar).

Xhika është person nën hetim i dyshuar për konsumim të veprave penale të “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Shpërdorim detyre” të parashikuara nga nenet 260 dhe 248 të Kodit Penal”– thuhet në njoftimin e policisë.

Më 26 Qershor, gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të lirojë nga burgu ish-kreun e ARRSH-së, Dashamir Xhikën për shkak të sëmundjes së tij.

Sipas Prokurorisë, Xhika akuzohet për korrupsion në vlera të mëdha monetare dhe ka rrezik që të fshehë provat apo të arratiset.