MENU
klinika

Emrat

Kthehen nga Belgjika, zhduken dy djemtë nga Vlora

08.09.2018 - 16:07

Ditën e sotme në qytetin e Vlorës, mësohet se janë raportuar në Polici humbjet e dy djemve.

Bëhet e ditur se djemtë kanë humbur kontaktet me familjen, dy muaj më parë ndonëse lajmi është bërë publik vetëm sot.

Denoncimi për zhdukjen e tyre është bërë nga vetë prindërit, të cilët kërkojnë ndihmën e Policisë, pasi ende nuk dinë ç’ka ndodhur me ta.

Sipas informacioneve, dy të zhdukurit janë Ervis Troqe dhe Albano Xhaferri të cilët ishin shokë me njëri-tjetrin. Ervis Troqe është zhdukur disa ditë pas Albano Xhaferrit.

Në lidhje me zhdukjen e Albano Xhaferrit, ka folur babai i tij i cili tregon se i biri është zhdukur një muaj pas kthimit nga Belgjika.

Më tej gjatë detajeve ai rrëfen dhe faktin se pikërisht pas dy ditësh është raportuar dhe zhdukja e Ervis Troqes, shokut të tij.

“Unë jam Lutfi Xhaferri. Djali kishte qenë në Belgjikë dhe u kthye. Kishte gati një muaj, i thashë “Pse erdhe o djalë?”. Më tha “Erdha se më mori malli për fëmijët”. Nuk e gjeta më, se rrinte në shtëpi tjetër dhe vazhdonte punën e tij. Ke ndonjë problem me njeri e pyeta, jo më tha. Se di çfarë pune bënte në Belgjikë. Atë ditë ishte ditë e zakonshme, por se di kush e mori, që nxitoi dhe e mori ta çonte në shtëpi. Erdhi një djalë, një makinë. S’ka marrë as pasaportë, asgjë. Kjo ndodhi rreth orës 10:30, 11:00 e darkës. Thonë për njërin që e mori. Vajti gruaja, bëri denoncimin për 7-8 ditë, më 18 qershor. Lajmëruan djalin tonë, tjetrin, erdhi nja 8-9 ditë e pa që s’bëri gjë dhe iku. S’di gjë për atë tjetrin që e mori. U larguan me makinë, por s’pashë dot gjë në atë orë. Ishte babai i 2 fëmijëve të vegjël, një në klasë të parë, një më i vogël. Pas djalit, u zhduk dhe një tjetër, Ervis Troçe, siç më tha babai i tij, ata kishin qenë në Belgjikë dhe kishin ardhur bashkë andej. Se çfarë kanë bërë nuk e di. Djalin tim e morën më para, Ervisi u zhduk 2 ditë më pas. Djali edhe mund të jetë rrëmbyer edhe mund të jetë larguar. Unë nuk dyshoj tek njeri se do e kisha gjetur me kohë”, ka thënë babai i Xhaferrit.

Babai ka treguar se i biri njihej me pseudonimin “Ciqe”, nga ana tjetër bashkëshortja e tij ka treguar një detaj mbi emrin e personit me të cilin është larguar i biri, sipas saj ai quhej Klodi.

Sipas policisë,nuk janë vetëm këto raste, pasi po hetohen dhe të tjera denoncime, për të tjerë persona të cilët denoncohen si të zhdukur.