Javën që kaloi një grua kishte dalë në protestë për teatrin. Sheh Yllka Mujon dhe Eva Alikajn tek kalojnë andej pari. Turp të keni, u gërmushet, ne protestojmë të mos shembet teatri e te punoni ju, kurse ju bëni xhiro.
Hajde e gjeje kush duhet të ketë turp. Ata aktorë që nuk i janë bashkuar kësaj kauze, apo gruaja që kërkon t’i bëjë të gjithë militantë?
Të ketë turp qeveria që kërkon të shembë teatrin e të ngrejë kulla, apo opozita që s’gjen dot një kauzë më përfaqësuese?
Të kenë turp ato media që kanë harxhuar muaj duke folur për godinën e teatrit, kur vite e vite me radhë nuk kanë shkruar a thënë një fjalë për aktorët, regjisorët a shfaqjet?
Apo të kem turp unë që mendoj se politika më e mirë për teatrin është që, para së gjithash të flasim për vlerat që sjellin regjisorët dhe aktorët si dhe për hallet që kanë dhe që, me sa di unë, s’janë të pakëta.
Mbase duhet të më vijë edhe më shumë turp, për këto që po shënoj në vijim.
Thonë se kauza për tetarin nuk është kauzë për artin, po për të mbrojtur një godine me vlera të shquara për historinë e teatrit dhe kulturës tonë. Dhe mbi të gjitha është kauzë kundër tjetërsimit të trojeve publike, kundër allishverisheve me tendera e favorizime klienteliste.
Po qe puna për tjetërsim pronash publike apo për shkelje ligjore në favor të klientelave oligarkike, rasti i teatrit duket si mi para elefantit që ravijëzojnë dhjetra gjëma që kanë tjetërsuar troje në bregdet, kanë tejkaluar në shuma prej qindramilionë eurosh kontratat fillestare në ndërtim autostradash, kanë groposur thesare natyrore në Valbonë a në Bënjë etj. etj.
Duket se teatri është zgjedhur si kauzë jo për nga vlera publike e rrezikuar, as për nga përmasat e zullumit, por me shpresë se popullariteti i artistëve do kompesojë sadokudo amortizimin e skajshëm të politikanëve.
Ndaj dhe unë, për turpin tim, nuk besoj që nuk besoj se këto beteja mund t’i orientojë klasa politike që kemi sot. Klasë e zhgryer dhe e përlyer në hajdutlleqe, e ndarë në dy pjesë, thjesht për t’u alternuar në pushtet. Hajde e ik e po ata, si xhaketat e kthyera të qëmotit.
Na duhen aktorë të rinj politikë, të aftë, të pastër dhe që të ngjallin shpresë. Ndryshe rinia, buzëplasur e shpresëhumbur, do vazhdojë të kërkojë masivisht fatin në dhera të huaja. Kurse ne, të mbeturit, do vazhdojmë të bëjmë thjatron e demokracisë.