MENU
klinika

Pajtimi i gjaqeve në Dukagjin

Kulla e “ngujimit dhe e pajtimit”

03.09.2018 - 15:46

Kullat janë një ndër tipet e banesave me popullore shqiptare por edhe një deshmi e vuajtjeve që kanë kaluar shqiptarët ndër vite. Ato janë ndërtuar kryesisht në veri të vendit dhe dallohen nga banesat e tjera për karakterin dhe funksionin e tyre të theksuar mbrojtës. Përzgjedhja e majës së një kodre apo në mes të shkëmbive të thepisur për ngritjen e një kulle ishte në shënjë dominimi të zonës dhe për të pasur shikimi të lirë në të gjitha drejtimet, duke ruajtur karakterin dhe kërkesat për t’u mbrojtur përballë çdo armiku. Përpos funksionit të tyre të parë, atë të banesës, sot kullat në veri të vendit janë një atraksion turistik, që vizitohet nga të gjithë ata të huaj që duan të dëgjojnë për Kullën e Ngujimit në Theth dhe Kullën e Thepit në Curraj Epërm.

Në Theth, ajo njihet me emrin “Kulla e Ngujimit” por ndryshe nga emërtimi, ajo shërbente për të pajtuar gjaqet. E ndërtuar 4 shekuj më parë si “Kullë Mbrojtjeje” nga armiku ajo ka ndryshuar disa herë funksion, si kullë ngujimi e pajtimi, si kasolle e lënë në harresë gjatë komunizmit dhe sot si objekt turistik. Gojëdhënat e ruajtura me fanatizëm nga banorët e Thethit, flasin për pajtimin e më shumë se 300 konflikteve nga e gjithë zona e Dukagjinit. Kjo kullë i përket familjes Koçeku dhe Sokoli është ciceroni që i shpjegon turistëve të gjithë historine e Kulles.

Ngjarjet e treguara prej gjyshit të tij, Zef Kocekut, i fundit prej familjes që ka jetuar sipas ligjeve të kanunit, Sokoli i përcjell për turistët.
“Kjo kullë është për pajtim, jo për ngujim, pavarësisht emërtimit që njihet dhe faktit që në të ngujohej ai që kishte bërë një faj, një vrasje, plagosje apo dëmtim prone. Personat strehoheshin këtu derisa arrihej pajtimi” tregon ai.

Në Theth, kanuni zbatohej me përpikmeri dhe kur një banor i zonës kryente një vrasje, ai strehohej brenda kullës për 15 ditë. Djemtë e fshatit ndaheshin në grupe dhe e ruanin fajtorin që mos të arratisej nga kulla dhe i çonin për të ngrënë. Në këto 15 dite, pleqtë e fshatit, që kishin influencën e fjalës negocionin mes dy familjeve për t’u falur gjaku. “Nese arrihej gjuha e përbashkët, atëhere shtrihej dora e pajtimit”, tregon Sokoli.

“Momenti i pajtimit ishte më të vertetë shume i veçantë. Plaku që kishte arritur pajtimin, lidhte në djep një fëmijë të vogël, mashkull, nga familja e fajtorit dhe e kthente djepin përmbys bashkë me të miturin. Në këte moment, familja e viktimës kishte disa minuta kohë për të vendosur faljen e gjakut dhe nëse përgjigjia ishte pozitive, atëherë i pari i familjes, ngrinte djepin dhe e kthente në gjendje normale duke shpëtuar fëmijen e vogël. Kjo simbolizonte pajtimin”. -shpjegon më tej Sokoli.

Orenditë në këtë kullë, janë të pakta dhe ato më të nevojshmet si sofra, ena e ujit, enë për të gatuar, disa shtroje prej lëkurë dhe arma që është pjesë e pandarë e çdo shtëpie në malësi.

Përgatiti: K.Zh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Turizmi alternativ në Gjirokastër

Turistët në gjurmët e rrugës së Lord Bajroni…