MENU
klinika

Alion Çaçi

Kultura e dhunës

29.09.2018 - 09:36

Këtë fundjavë dua të qëndroj brenda kornizave të sektorit ku botohet ky shkrim; sektorit të kulturës. Do të flas për kulturën e mirësjelljes. Por, siç kanë thënë të mënçmit “Nuk do t’ia dinim vlerën dritës nëse s’do të kishte errësirë”.

Kështu që, sot do të shkruaj për dhunën në mënyrë që, të vlerësojmë më shumë kulturën e mirësjelljes.


E nisim që në zanafillë, prej aty ku besimtarët mendojnë se filluan të marrin rrjedhën vitet; te kryqëzimi i Krishtit. Siç na është prezantuar nëpër libra dhe rrëfime, Jezui doli lart e poshtë e shpërndau fjalën e mirë që njerëzit të krijojnë familje, të duhen sepse vetëm duke e konsideruar njëri tjetrin motër e vëlla, do të shpëtojmë nga flakët e Ferrit. Nuk dua të bëj asnjë batutë mbi faktin që nuk mund të krijohet familja me motrën dhe vëllain, por dua të qëndroj te thelbi i bisedës. Pra, sesi dikë që kishte mend të mira, e kryqëzuan sepse shkoi kundër interesave të disa njerëzve me pushtet. Si përfundim, shëmbëlltyrën e mirësisë dhe dashurisë, e ngulën me gozhdë në kyçe dhe me gjëmba në kokë, majë një kryqi prej druri, majë një kodre të fshatit.

Ecim më tej me historinë e botës për t’u ndalur në perandorinë romake. Me pretendimin e shpërndarjes së qytetërimit (të cilin ata e mendonin të udhës), vranë e prenë gjithandej e gjithë dynjanë edhe na qytetëruan të gjithëve. Nuk na e kishin me të keq, me thënë të drejtën. Por ja që sakrifikuan disa mijëra jetë për të dalë në një përfundim të mirë.

Mbërrijmë në shekullin e kaluar kur Hitleri i donte gjermanët shumë. I donte aq shumë, sa donte të zhdukte gjithë trajtat e tjera të prejardhjeve. Sigurisht që dashuria për njerëzit e tij solli pasoja. Pak a shumë si në rastin e Jezuit apo të Çezarit.

Dhe, pasi kam shëtitur Jeruzalemin, Romën, Berlinin, mbërrij në një tjetër qytet të përmasave të ngjashme: Fushë-Krujë.

Po e përmbledh shkurtimisht për ata të painformuarit: një vajzë e re ka denoncuar, pastaj ka tërhequr denoncimin, më pas ka denoncuar përsëri një djalë të ri, bir deputeti rilindas, për dhunën e vazhdueshme që ushtronte mbi të. Sipas deklaratës së vajzës, çifti kishte kohë bashkë. Ç’ka rrëfen se, midis tyre, dikur ka pasur një ndjenjë. Pra, edhe këtu shohim një të mirë, edhe pse e keqja është sunduese. Ç’e bëri lajm këtë denoncim? Fakti që ka një lidhje gjaku mes të akuzuarit dhe një pjesëtari të qeverisë.

Së pari, ne nuk jemi popull i mësuar me idenë se na qeverisin engjëj. Historikisht ne kemi shprehur pakënaqësitë me të gjithë që na kanë ardhur. Dua të them, ka pasur, ka dhe do të ketë dhjetëra e dhjetëra arsye për t’iu kundërvënë qeverisë edhe para se të ndodhte ky “skandal” (po e quaj “skandal” meqë shqiptarët vdesin për skandale).

Që ta shkoqisim: Fakti se një deputet, ekzistencën e të cilit nuk e dinim përpara këtij skandali, ka të birin dhunues, është shumë më pak e dëmshme për ne, si qytetarë të thjeshtë, sesa mund të jenë të dëmshme shumë veprime të kryera nga ky deputet duke shfrytëzuar postin, që mund të ketë bërë ai deputet. Sigurisht, nuk po vë gisht mbi askënd. Thjesht, ashtu siç bënin romakët, po marr të mirëqenë se, çdo pushtetar e ngjyen pak gishtin te qypi me mjalt. Skandali i nuses së deputetit, është vetëm një rast i zakonshëm i dhunës në familjet shqiptare.

Së dyti, a ke dhe ti një komshie që e rreh burri sistematikisht? Ose një të njohur të së njohurës? Maksimumi i reagimit është “ua qyqja, larg qoftë” pastaj biseda kalon menjëherë në “më kishin nxjerrë bojë këto rrobat me ngjyrë që futa në lavatriçe dje”.

Jam shumë kundër protestave për të drejat e femrave mbasi ndodh një skandal. Protestat duhet të jenë të vazhdueshme. E dimë të gjithë në ç’deregje jemi të katandisur. Mjafton një hulumtim i vogël gazetaresk për të marrë vesh rastet e denoncimeve për dhunë që bëhen nga femrat dhe kjo statistikë mund të frymëzojë për protesta paqësore.

Është e ditur që ne jetojmë në një shoqëri të dhunshme. Është në gjakun tonë kafshëror të jemi të dhunshëm. Ashtu siç luanët luftojnë me luanë të tjerë për të sunduar territorin dhe luaneshat, ashtu dhunojnë edhe njerëzit: sepse kanë instikte kafshërore.

Por, në ndryshim nga kafshët, ne kemi një rregullator që quhet Shtet. Policia është ajo që, me ligj, i vë frè instikteve të dhunshme njerëzore. Është ajo që duhet t’i përgjigjet çdo ankese, sado të vogël. Është ajo që duhet të marrë masa të menjëhershme në mënyrë që, të gjithë të kemi besim te fuqia e ligjit më shumë sesa te fuqia fizike individuale. Kështu do të shtoheshin rastet e denoncimit të dhunës dhe, po njësoj, do të pakësoheshin sepse dhunuesit do të kishin frikë nga forca e ligjit. Por, ç’pres dhe unë nga një shtet që e ka mendjen te vjedhjet e organizuara dhe te dasmat në tarracë… “Njerëzit në fuqi kuptojnë vetëm një gjë: dhunën” ka thënë Naom Chomsky.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët