Ështe një prej muzeve që tërheq çdo ditë e më tepër vizitorë kjo edhe për vetë emrin e madh që përcjell, Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe me famë botërore. E ndodhur në një prej lagjeve më karakteristike të Gjirokastrës,sic është lagjia Palorto, sokakët e kësaj të fundit cdo ditë ngelen në fokus të aparatëve fotografikë të turistëve të shumtë të cilët duan të njihen me banesën-muze ku ka lindur dhe është rritur shkrimtari i njohur. Bruno Pjetri përgjegjësi i këtij muzeu thotë se fluksi është gjithnjë e në rritje.
“Ka një dallim të ndjeshëm nga viti në vit. Mund të them që statistikat janë trefishuar dhe vetëm gjatë dy muajve të fundit këtë muze e kanë vizituar mbi 500 turistë. Kandidimi i Ismail Kadare për cmimet më preztigjozë botërore në fushën e letërsisë është një prej arsyeve kryesore të dëshirës së turistëve për të vizituar ketë banesë.” – tregon Bruno.
Të njihesh me banesën ku është ngjizur një ndër romanet e parë të suksesshëm të Is, “Kronikë në gur” është po ashtu motiv kureshtje për vizitorët e shumtë që zgjedhin të ndalojnë në banesën e shkrimtarit, me arkitekturën tipike gjirokastrite.
Ruajtja e traditës duke i shpëtuar rrënimit që koha i ka bërë thuajse të gjithë godinave të tjera të lëna pas dore në Gjirokastër është mundësuar falë ndërhyrjes së UNESCO-s, një financim në vlerën e 114 mijë eurove. Shtëpia mori këtë pamje që shfaqet dhe në foto, në 80 vjetorin e lindjes së Kadaresë, për t’u hapur më pas për publikun e gjerë. Banesa është e ngritur në tre kate dhe brenda saj gjen botime dhe fotografi të shkrimtarit të njohur.
“Është një prej vlerave jo vetëm të qytetit tonë, por aktualisht mund të thuhet se gëzon famë botërore me të cilën edhe ne si bashkëqytetar të tij krenohemi, ndaj dhe përgjegjësia jonë por dhe përkushtimi për të promovuar sa më mirë këtë banesë si ndalesë turistike ka qënë maksimal” – thotë kryebashkiakja e Gjirokastrës
Shtëpia e Ismail Kadare u shkrumbua totalisht nga flakët në vitin 1999 ku nuk ngeli thuajse asgjë nga e kaluara apo fëmijëria e shkrimtarit,sigurisht përvec kujtimeve të tij të cilat Kadare i risjell herë pas here në romanet apo botimet e tij që kanë bërë diferencë në letërsinë shqiptare dhe botërore.
Përgatiti: E.B.