MENU
klinika

Aleancë e disfatë

Kuvendi ndërballkanik i Kuçit

10.09.2018 - 11:53

Në 1614 hapësira ballkanike e pushtuar nga sundimi Osman bën përpjekje për të ngritur krye kundër tij. Për këtë kishin bërë tentativa me princër të ndryshëm europianë, mbretër po pa sukses.

Për këtë qëllim në Kuç të Malësisë së Madhe do mblidheshin shqiptarët, malazezët, serbët, boshnjakët, hercegovinasit, maqedonasit. Përpjekje të aleancave të mëparshme ballkanike i shtohej dhe kjo përpjekje serioze.

Të gjitha përpjekjet për të filluar një kryengritje të përgjithshme kishin rezultuar një flluckë sapuni dhe Shqipëria ishte zhytur në një sundim të plotë.

Venediku që kishte interes të shkëmbimeve tregëtare dhe të shfrytëzimit të detit adriatik dhe Mesdhe herë pas here në këto vite kishte dhënë shenja bashkëpunimi me Perandorinë Osmane, marrëdhëniet dy palëshe midis Venedikur dhe Perandorisë Osmane premtonin për mirë.

Duka i Parmës ishte udhëheqësi shpirtëror dhe udhëheqësi i kësaj nisme. Kishte dërguar kapedanin Gjon Renësi për të shkuar në Kuç të Malësisë së madhe ku do bëhej një diskutim midis kontëve dhe përfaqësuesve ligjorë të krahinave në lidhje me një organizim për luftën dhe aleancën dy palëshe midis dukës së Parmës dhe krahinave Ballkanike.

Marrëveshja ishte të mblidheshin gjithë kontët në një kuvend në Kuç. Të gjithë ata kontë që nuk mund të vinin dot, do të dërgonin sekretarët e tyre me vulat e betimin e kontëve. Megjithatë disa kontë ishin mbledhur më parë se të vinte Gjon Renësi në Ballkan.

Të besëlidhurit 25 vetë më kryesorët u mblodhën në 14 korrik 1614.(disa diskutime historike mendojnë datën 15 korrik)

Në kuvend morën pjesë 44 krerë shqiptarë dhe kombësish të tjera dhe konkretisht: Gardan Vojvoda i Novogostës, Konti Lala Drekali prej Kuçit, konti Vojo nga Rizano, konti Vojo prej Malit të Zi, Gjec Bardhi prej Mirdite, protopopi Ivanoviq, konti Nikolla prej Piprit, konti Selak(Shllak) prej Grije, vojvoda Raic Palabardhi (Bjelopavliqi), Rade Vojvoda prej Plavës, konti Pletar prej Plushive, konti Stephan Raceçi, konti Drahigo Geleci, konti Mirieta Serciza(Cërnica), konti Nikolla Negushi, Gjin Gjergji nga Dukagjini, konti vule Dubigini (Dubinjë), konti Radosava Bronci (Bonci), konti Mark prej Malit të Zi, konti Gjon nga Zupa e Epërme, vojvoda Vuka (Vuka Gjeç), konti Thoma nga Versahevo, konti Parvo (Pavlo) nga Prizreni, vojvoda Sekuli(Gjen Kuli?) nga Boga, konti Milia nga Bjela (Bardha e Kuçit) , Konti Gjon Plesisi (Llesh i Zi), konti Dragoi nga Rudina, konti Mileta Rigano, konti Gjon Mustaki, konti Millosh Çekanji (Çekaj), konti Mihal prej Prejs, konti Thoma i Kostas, konti Vuisko nga Biloshi, konti Vigio Ravan nga Griniqi (Grigjaniku), konti Vukigj(Vuk Keqi) nga Usano, konti Voin nga Balea(Balëza), konti Andria nga Zupa e poshtme, konti Mile nga Kupe (Prokupi)konti Thoma nga Podgorica?, konti Cepivo nga Ljeshkopolje (Fusha e Ljeshkës), konti Vule nga Zeta (Genta), Vukosha nga Trebsha, konti Andria nga Plesiuvi, Popo Vion nga Zaravina (Rasanina?)

Nga 44 krerët, gjashtë të parët ishin krerët kryesorë dhe kishin të drejtë të thërrisnin në kuvend të tjerët. Më poshtë, ishin krerët pjesëmarrës në kuvend, pjesëmarrjes, kishin dërguar sekretarët e vet me vulat përkatëse.

Këta krerë përfaqësonin Novogosaton, Kuçin, Rizanon, Malin e Zi, Mirditën, Pipërin, Palabardhin, Plavën, Plushivën, Leshkopoljen,(Fusha e Ljeshkës), Gëzezin, Cërnicën, Negushtin, Dukagjinin, Dubinjën, Boncin, Zupën e Epërme, Kelmendin, Vershovon, Prizrenin, Bogën, Bardhën e Kuçit.

Sekretarët përfaqësonin kontët që nuk kishin ardhur nga kraniihat: Lleshi I zi(Mirdita), Rudina, Rigano, Prejs, Biloshi, Griniqi, Usano, Balëza, Zupa e poshtme, Kpue (Prokupi), Podgorica, Zeta, Trepsha, Plesiuvci, Zaravina etj.

Kuvendi mori vendime të rëndësishme. Ndonëse dokumentohen me saktësi, ato dalin gjatë kërkesave që parashtroi kuvendi.

Së pari, ata ishin dakord që të pranonin dukën e Parmës si mbret. Kuvendarët i tërheqin vërejtje dukës së Parmës dhe i luten që të mos veprojë, sic kishin vepruar princat e tjerë, si Papa Klementi VIII, perandori Rudolf e më në fund duka i Savojës dhe ai i Mantovës, të cilët, me premtimet e tyre, kishin bërë që shqiptarët të hidheshin në kryengritje, të bënin shpenzime të mëdha, por pa marrë prej tyre ndihmën e premtuar. Kështu, shqiptarët kishin pësuar dëme në njerëz, në nder, në plaçka.

Më shumë ata kishin vuajtur nga Venediku, mik i ngushtë i sulltanit, i cili e kishte vënë në dijeni për çdo kryengritje dhe pasojat kishin qenë të rënda.

Shqiptarët kishin humbur shpresën në ndihmën e princërve katolikë sepse e kishin zgjatur shumë punën, prandaj kuvendi vendosi që, në qoftë se kapedani nuk vinte me një vendim të shëndoshë, shqiptarët do t’u drejtoheshin mbrejtit të Anglisë, kontit Mauric dhe do të bëheshin lidhje me të gjithë princat protestantë të Gjermanisë, prej të cilëve të zgjidhej një kryetar i aftë për t’i sunduar këta popuj.

Ky ishte një kërcënim me gjuhë diplomatike e të drejtpërdrejtë për princat katolikë, që po i zvarritnin punët në organizimin e ekspeditës.

Pranimi i dukës së Parmës si mbret nga shqiptarët ishte i kushtëzuar. Ai duhej të dërgonte një anije të armatosur më së miri. Së bashku me anijen, të vinte një inxhinier që të shikonte të gjitha limanët dhe pozitat ku do të ndërtoheshin fortesa për të siguruar vendin.

Së dyti, shqiptarët kërkonin një sasi të madhe armësh e municionesh për këmbësorinë dhe kalorësinë dhe shumë topa për t’u vendosur në vijën bregdetare.

Me atë anije do të dërgoheshin ambasadorët e shqiptarëve, që do të caktoheshin, posa të kthehej patriarku i Pejës, që ndodhej në Kostandinopojë për të paguar haraçin e dy vjetëve. Ata i premtonin dukës se ishin në gati të ngrinin 200. 000, madje 300.000 burra të gatshëm për të siguruar lirinë.

Sigurisht këto pohime, si në të gjithë rastet e tjera, janë të fryra, po të kemi parasysh se e gjithë Perandoria Osmane nuk kishte më shumë se 250.000 ushtarë, përfshi tokën dhe detin.

Pasi u njoh me kërkesat e përfaqësuesve, Gjon Renësi i pranoi mendimet e tyre dhe u kthye tek duka i Parmës. Këtë radhë u duk sikur kërkesat e kryengritësve gjetën një mbështetje te duka, i cili pranoi t’i ndihmonte dhe nisi një anije me armë. Po ajo nuk mbërriti në destinacion, mbasi u sekuestrua rrugës nga Venediku.

Kuvendi i dytë i Kuçit

Nga një dokument tjetër i datës 8 shtator 1614, mësohet se në Kuç të Shqipërisë së epërme është bërë një Kuvend i dytë, me një pjesëmarrje disi ndryshe nga Kuvendi i parë. E reja qëndron tek pjesëmarrja e patriarkut të Serbisë.

Krerët rrumbullakosen me fjalët: zotër kryesorë të të gjitha mbretërive d.m.th të Shqipërisë së Epërme, të Bosnjës, të Maqedonisë, të Bullgarisë, të Sërbisë, të Heregovinës e të Dalmacisë.

Vendimi më i rëndësishëm i këtij kuvendi ishte hartimi i një projekti për çlirim nga zgjedha osmane. Kuvendi vendosi ta nisë përsëri Gjon Renësin në Itali. Në fillim ai duhej të njoftonte Papën për vendimet e marra.

Projekti ishte ky: së pari, të vinin armët në Malin e Zi dhe në malet e Himarës në atë sasi që mund të ketë, sepse në këto vende nuk kishte hyrë sistemi i timarit dhe nuk i kishin paguar haraçin sulltanit.

Prej këtyre maleve do t’u jepeshin armë maleve të Dukagjinit dhe krahinave të besëlidhura, si Pipëri, Kelmendi, Kuçi, Vreshevo dhe Palëbardhi, që qysh prej 30 vjetësh rronin në liri dhe nuk i paguanin haraç sultanit. Aty mund të mblidheshin 30.000 ushtarë të mirë.

Në këto zona malore do të futeshin edhe 12 000 ushtarë nga zonat e tjera: nga Serbia, Hercegovina, Maqedonia, Shqipëria (vise të tjera të Shqipërisë), ushtarë, prej të cilëve 30.000 këmbësorë dhe 1200 kalorës.

Rreth 8300 ushtarë të Himarës do të shkonin në Vlorë për të marrë qytetin dhe kështjellën. Kjo punë mund të ishte e lehtë, sepse në rojë të kështjellës ishin disa të krishterë që kishin hyrë në marrëveshje me himarjotët.

Dukagjinasit do t’i drejtoheshin Krujës. Një pjesë e mureve të kështjellës ishin të rrënuara, prandaj ajo mund të merrej me lehtësi. Pjesa tjetër e dukagjinasve do t’i drejtohej Shkodrës, ku kishin bërë një marrëveshje, dhe një pjesë tjetër drejt Kastelnovos.

Më parë, ata të malit të Zi do të merrnin në befasi kështjellën, sipas marrëveshjes që kishin bërë me të krishterët.

Këto kryengritje të zonave malore do të pasoheshin nga kryengritje në të gjitha mbretëritë. Hartuesit e projektit e mbështetnin fitoren në epërsinë numerike, ku një Osman ishte përballë 200 të krishterëve.

Një pjesë e kryengritjeve do t’i drejtohej Shkupit për afro dy muaj. Prej andej do të përparohej drejt Edërnesë me rreth 160. 000 ushtarë. Në përparimin e shpejtë do të ndikonte edhe fillimi i kryengritjes (muaji tetor), mbasi turqit ishin të çarmatosur.

Derisa sulltani të mblidhte forca nga Anadolli, do t’i duheshin tetë muaj, d.m.th verën e vitit të ardhshëm.

Shpresohej se do të ngriheshin princat e Vllahisë dhe të Moravisë, sipas kryengritësit do të ishin në kryeqytetin Osman.

Një vendim tjetër i Kuvendit ishte prerja e një monedhë të bardhë për të paguar ushtarët me rrogë.

Të gjitha gjërat që do të siguroheshin gjatë plackitjes së qyteteve, të turqve, të hebrenjve, si: ar, xhevaire, argjend, do të vendoseshin në arkën mbretërore për të mbajtur ushtrinë. Kur të merrej Kryeqyteti , monedha do të hiqej nga përdorimi.

Sipas një informacioni venedikas, duka nuk u besoi shumë fjalëve të kalorësit, prandaj e mbajti Gjon Renësin deri në korrikun e vitit 1615.

Nga ana tjetër, ai nisi njerëz të besuar për të sqaruar të vërtetën, soli prej Shqipërisë një frat ë quajtur Andrea, boshnjak, i cili vërtetoi pohimet e mëparshme.

Mbasi u bind, duka dërgoi kapedan Gjonin më 10 korrik si dhe fratin, besnikë të tjerë dhe inxhinierin, së bashku me dhurata dhe një anije, të cilën e mori me qira, që do të sillte ambasadorët e krerëve të beslidhur ballkanikë, bëri furnizime me armë në sasi të mëdha dhe nuk po pushonte së prodhuari.

Duka dërgoi një ambasador në Spanjë për të siguruar ndihma për këtë ndërmarrje kaq të madhe.

Në tetor të atij viti kapedani arriti në Kuç dhe bëri një parashtesë të gjerë të mendimeve të dukës së Parmës.

Krerët, të kënaqur nga parashtrimi e kthyen atë përsëri te duka i Parmës. Kapedan Gjoni dhe frati shkuan pranë dukës së Parmës. Duka i kënaqur prej tyre, I trajtoi mjaft mirë dhe i shpërbleu me dhurata. Nuk dihej se kur do të fillonte aksioni.

Informatorët venedikas dinin gjithçka që u trajtua më lart, mbasi një kopje e letrës së kalorësit Gjon kishte rënë në dorën e tyre. Madje, informatorët shpresonin se mund të korruptonin fratin me shpërblime ose me ngritje në përgjegjësi.

Krahas me dukën e Parmës, vazhduan përpjekjet e patriarkut të Pejës, Gjonit, dhe të disa krerëve të Kosovës me kontin Mauric (d’Oranzh), dhe kontin e Mantovës.

Madje, me anë të një tregëtari të pasur të Amstredamit, të quajtur John Lys, dhe të tregëtarëve të tjerë Kalandreas, me lejen e kontit Mauric, u nisën dy anije të ngarkuara me pushkë, por nga paaftësia e kapedanëve, kur anijet mbërritën në Mesdhe u prishën.

Kështu përfundon dhe iniciativa e dytë për një kryengritje të përgjithshme ballkanike.

(Marrë nga ‘’Shqiptarët midis lindjes dhe perendimit  (1506-1750)’’-Petrika Thëngjilli)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN