“Unë jam një kompozitor si gjithë të tjerët”, tha Ennio Morricone i nderuar nga Akademia kombëtare e Santa Cecilia për ditëlindjen e tij të 90-të. Një ditë e plotë festimesh e enjtja e 27 shtatorit që do të përfundojë me një koncert me kompozimet e tij, ku Mjeshtri Morricone do të ngjitet në skenë për të drejtuar Orkestrën dhe korin e Santa Cecilia.
Akademik që nga viti 1996, Ennio Morricone ka një marrëdhënie të gjatë me Akademinë Santa Cecilia. “Unë jam shumë i befasuar dhe i prekur nga këto festime, jam kompozitor si shumë të tjerë, disa gjëra më kanë shkuar mirë e disa të tjera jo dhe aq. Publikut i jam falenderues … Kompozitorët kanë nevojë për publikun”, shtoi Morricone.
“Ne po festojmë për këtë muzikant të mrekullueshëm dhe mik të madh”, tha presidenti Michele Dall’Ongaro, “jo vetëm kompozitori më i njohur, por edhe italiani më i njohur dhe më i dashur në botë”. Shoqata e autorëve dhe botuesve të Italisë u bashkua në festë. “Për ne është një privilegj, Ennio është regjistruar në shoqatën tonë që prej 72 vjetësh, e ndryshe nga kolegë të tjerë që ka ndjekur rrugë të ndryshme, ai gjithmonë na ka mbështetur dhe mbrojtur”.
Për 90 vjetorin e Morricone, Akademia ka publikuar gjithashtu vëllimin e quajtur “90ennio” i cili përfshin foto, dokumente dhe dëshmi të personazheve të ndryshëm të skenës dhe muzikës.
Kur e pyetën se ku e gjen energjinë në moshën 90-vjeçare për të filluar një tur me orkestrën në vitin 2019, Morricone u përgjigj: “Më pëlqen të kompozoj, është e vetmja gjë që mund të bëj”.