Aksidentet rrugore kanë shkaktuar mbi 12 milionë euro dëme. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në shtatë muaj kompanitë e sigurimeve kanë paguar 1.55 miliardë lekë dëme nga sigurimi i brendshëm motorrik dhe nga sigurimi vullnetar kasko.
Krahasuar me një vit më parë, dëmet e paguara për aksidentet janë rritur me 17%. Në fakt, fatura e dëmeve është më e lartë se kaq, po të kemi parasysh se jo të gjitha dëmet mbulohen nga kompanitë e sigurimeve.
Statistikat tregojnë se klasat e sigurimit motorrik sjellin më shumë se 60% të dëmeve totale për industrinë e sigurimeve në Shqipëri. Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti, aksidentet rrugore shkaktuan 27 viktima.
Sipas Institutit të Statistikave, në pikun e sezonit veror numri i viktimave rezultoi më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci i aksidenteve ngelet i rëndë edhe për këtë vit, 143 viktima në tetë muaj, shifër kjo shumë afër të njëjtës periudhë të një viti më parë. Dëmet më të rënda, ato në njerëz ngelen të mëdha, megjithëse numri i aksidenteve këtë vit është ulur me rreth 13% krahasuar me një vit më parë.
Këtë vit në Shqipëri kanë ndodhur rreth 1150 aksidente, në të cilat janë dëmtuar afro 1550 njerëz. Statistikat tregojnë se në Shqipëri ndodhin afërsisht pesë aksidente çdo ditë dhe pothuajse në të gjitha rastet përgjegjësitë janë njerëzore, kryesisht të drejtuesve të mjeteve.