MENU
klinika

Droga “skunk”

Mediat turke: Shqipëria, burim i ‘helmit’ të ri

05.09.2018 - 20:45

Një artikull i publikuar nga media turke, “Sozcu”, rreth drogës së rrezikshme të njohur si “skunk”, ka etiketuar Shqipërinë si vendburim të saj.

Nga të dhënat e publikuara është arrestuar një shtetas turk që shpërndante këtë lloj droge, e etiketuar si helmi i rinisë së vendit.

Kjo lloj droge sipas medias turke, prodhohet kryesisht në Shqipëri me fara hibride.

Më tej, “Sozcu” shkruan:

Policia e Stambollit pikasi rastësisht një person të dyshimtë që doli nga një shtëpi në rrugë “Darcanar”.

Ai u drejtua për të hipur në një motor dhe policia filloi ta ndiqte. Burri u largua duke braktisur mjetin, por policia e kapi rreth 500 metra më tej.

Tariq O, u arrestua pasi u kap me drogë prej 50 gramësh.

Ekipet e policisë kontrolluan gjithashtu shtëpinë dhe motorin e të dyshuarit për gjetjen e drogës. Gjatë hetimeve u konfiskuan 650 gram “Skunk”, 10 gram kokainë dhe një peshore elektronike.

Tariq O., u arrestua nga autoritetet gjyqësore pasi siguronte drogën skunk, që helmon konsumuesit. 

Gazeta “Sozcu”  jep më tej detaje mbi lëndën narkotike e quajtur Skunk, ku sasia që policia mori, prodhohet nga fara hibride të kanabisit. Skunk, i cili është 10 herë më i dëmshëm se kanabisi, gjithashtu shitet me çmime më të larta pasi importohet nga jashtë.

Skunk prodhohet kryesisht në Shqipëri. Ajo dërgohet në Turqi nga dy rrugë të ndryshme. Rruga e parë është dërgimi i saj nëpërmjet anijeve nga ishujt grekë. Një rrugë tjetër thuhet të jetë Bullgaria, Edirna dhe Stambolli përmes Ballkanit.