Gjatë vizitës së tij në New York, lidhur me Asamblenë e OKB-së, presidenti i vendit, Ilir Meta, ka realizuar një takim me themeluesin e Fondacionit Ndërkombëtar hebre “Raoul Wallenberg”, Baruch Tenembaum.
Takimet e presidentit Meta vijuan me kryetarin e fondacionit dhe përfunduan me anëtarët e tij.
Presidenti shqipar, vlerësoi nismën e Tenembaum dhe të Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” për ta deklaruar Shqipërinë si “Shtëpinë e Jetës”, në respekt të kontributit që populli shqiptar dhe Shqipëria kanë dhënë për mbrojtjen dhe strehimin e një numri të madh hebrenjsh gjatë Holokaustit.
Ai mbështeti idenë e organizimit në Tiranë të një ceremonie të veçantë për këtë qëllim dhe vendosjen e një pllakate në nderim të kontributit të popullit shqiptar.
Duke u ndalur në marrëdhëniet historike e tradicionale midis shqiptarëve dhe hebrejve, Presidenti Meta, tha:
“Ishte kjo miqësi, si dhe kodi shqiptar i Besës, që bënë që gjatë Holokaustit, numri i hebrenjve në Shqipëri të shumëfishohej dhe për këtë ne shqiptarët jemi krenarë”.
Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve dhe tragjedi të tilla të së kaluarës me hebrejtë, apo edhe ato etnike të ndodhura në rajonin e Ballkanit, nuk duhet të përsëriten. Kurrë më!”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Ndërsa themeluesi i këtij fondacioni e falënderoi Presidentin Meta për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.
Më tej, ai nënvizoi mirënjohjen e thellë të hebrejve për rolin që kanë luajtur shqiptarët gjatë Holokaustit.