MENU
klinika

Ergys Mërtiri

Misioni i pamundur i teknologjisë

23.09.2018 - 09:44

Zhvillimi i mjeteve të prodhimit ka zëvendësuar tashmë në drastike krahun njerëzor të punës. Megjithatë ai ka sjellë kërkesa të reja për punësim në sektorë të ndryshëm të industrisë dhe shërbimeve. Natyra e punës në shoqëritë e industrializuara nuk lidhet më drejtpërdrejt me produktin, por me aftësinë në përdorimin e makinerive, apo mbulimin e hallkave të ndryshme në zinxhirin e prodhimit. Në shoqëritë pas-industriale, kjo situatë ka ndryshuar edhe më shumë, duke përqendruar tashmë pjesën më të madhe të krahut të punës në sektorin e shërbimeve. Duke ndryshuar natyra e punës, ndryshon doemos edhe vetë shoqëria, duke filluar nga shtresëzimi social, kultura, mënyra e jetesës e deri tek zhvillimet politike.

Megjithatë, zhvillimi teknologjik, sadoqë u ka lehtësuar shumë gjëra njerëzve, nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të madh cilësor në jetesën e tyre. Njerëzit nuk janë bërë më të lumtur sesa kur nuk kishin në dispozicion mjetet që kanë sot. Madje, përkundrazi, psikologët dhe sociologët flasin për rritje të ndjeshme të ankthit, stresit, depresionit dhe një sërë shqetësimesh që kanë të bëjnë me pasigurinë, vetminë sociale, etj.

Pajisjet elektroshtëpiake, p.sh., mund të kenë sjellë shumë lehtësira në punët e shtëpisë, gjë që ka krijuar kushte më të favorshme për punësimin e grave dhe një ndryshim të madh të rolit social të tyre, por nevoja për këto pajisje ka sjellë gjithashtu rritje të kostove të jetesës për blerjen, mirëmbajtjen dhe përdorimin e tyre, duke përfshirë këtu edhe një sërë shpenzimesh, të tilla si ato për energji, transport, shërbime, të cilat kërkojnë më shumë të ardhura, e për pasojë, më shumë punë.

Edhe ajo kohë e lirë e fituar nëpërmjet pajisjeve që zëvendësojnë punën njerëzore, përthithet gjithashtu nga mjetet teknologjike që kemi në përdorim, kjo për shkak edhe të efekteve sociale që ka sjellë moderniteti, si humbja e lidhjeve shoqërore të dikurshme dhe dobësimi i jetës komunitare. Në këtë mënyrë, teknologjia, ashtu siç na e krijon kohën e lirë, ashtu edhe na e grabit atë, duke rritur na imponuar një mënyrë jetese që kërkon më shumë punë për të siguruar përmbushjen e nevojave, që na janë shtuar artificialisht po prej saj.

Në raport me punën, në vitet 30 ekonomisti më i rëndësishëm i kohës John Maynard Keynes parashikonte një të ardhme të lumtur për shoqëritë moderne. Ai besonte se shumë shpejt, falë zhvillimeve të mëdha teknologjike, njerëzit do të fitonin kohë, duke punuar vetëm 3 orë në ditë, dhe të gjithë pjesën tjetër do të mund t’ia kushtonin vetes së tyre duke “shijuar jetën” e duke u marrë me art, kulturë dhe fe.

Por këto parashikime dolën të gabuara. Zëvendësimi i punës njerëzore nga makinat nuk ka sjellë ndonjë ulje radikale të orëve të punës. Përkundrazi, ai ka sjellë rritje të papunësisë, duke vështirësuar pozitat e punonjësve në tregun e punës. Presioni i punëdhënësve është rritur, duke i detyruar punëtorët të pranojnë kushte më të vështira pune, me orare të zgjatura. Studimet tregojnë kudo një nivel të lartë të rritjes së stresit në punë, gjë që tregon për një tablo tjetër nga parashikimi i Keynes-it.

Ka gjithmonë një gur peshe nga ana tjetër e kandarit që balancon çdo përparim teknologjik të shoqërive moderne, i cili madje, në më të shumtën e rasteve, rëndon më shumë se këto përparime. Sot edhe vetë shoqëritë e zhvilluara vuajnë presionin e krizave dhe pamundësisë për të kënaqur qytetarët, për të mos folur për vendet e varfra e ato në zhvillim. Kjo vjen, në një masë të konsiderueshme, për shkak se teknologjia nuk është zhvilluar në funksion të njeriut, e kontrolluar nga vlera dhe standarde etiko-kulturore humanizuese, por e kundërta, ajo është kthyer në qëllim në vetvete, teksa shoqëritë moderne kanë humbur çdo lloj qëllimësie e sistemi vlerash. Fusha që përcakton natyrën e zhvillimit nuk është natyra njerëzore, por natyra e mjeteve të prodhimit dhe e ambicies për maksimalizim të performancës prodhuese.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


DSHM. Alketa Qosja (Hoxha)

Njeriu, mjeku, mjekësia dhe teknologjia