MENU
klinika

Roberto Morozzo della Rocca

Miti, Shqipëria dhe karakteri shqiptar

10.09.2018 - 13:39

Historiani Roberto della Rocca ka  dhënë një fizionomi të plotë të Shqipërisë pas viteve 1990 dhe miteve të tyre, si dhe të metave që mbizotërojnë tek shqiptarët në periudha të ndryshme. Në librin ‘’Shqipëria, rrënjët e krizës’’ ai argumenton me fakte të ndryshme historike problematikën e Shqipërisë që çoi në krizën gjithpërfshirëse të vitit 1997 dhe një prapavijë historike të karakterit individual dhe kolektiv të shqiptarëve. Më poshtë po shkëputim një pjesë të kësaj problematike.

Trajtimi mitik i Shqipërisë është mjaft i përhapur. Shqiptarët përpiqen të jenë legjendarë dhe përshtypjelënës.

Joshqiptarët që vijnë në këtë vend largohen me mbresa të forta e të pashlyeshme (sidomos nga kontaktet e para).

Letërsia mbi Shqipërinë është e mbushur me një ndjenjë sikur kemi të bëjmë me një vend të pashoq e të pakrahasueshëm, dhe kjo nuk ka të bëjë me kombësinë e autorëve. Shqipëria të magjeps. Shqipëria të largon. Gjithsesi nuk të lë ftohtë.

Gjatë shekullit të XX karakteri i pashoq i Shqipërisë është nxjerrë radhë pas radhe nga historia e mundimshme, nga gjuha e veçantë, nga pejsazhi dhe nga natyra e pandotur, nga prapambetja dhe mjerimi, nga zgjedhjet politike radikale, nga vrazdhësia dhe barbarizmi, nga Naivete dhe spontaniteti popullor, nga zakonet e lashta, nga përzjerja e lindores me perëndimoren, nga pazari dhe xhamia krahas monumenteve klasike të Apolonisë dhe Butrintit, nga copëzimi dhe larushia e vendit, nga e panjohura e zanafillës së tij.

Miti i karakterit të pashoq të Shqipërisë riprodhohet nga njëra epokë në tjetrën me një dozë të mirë retorike.

Nuk ngjall habi fakti që autorët e drejtimeve të kundërta, si ata fashistë ose, nga ana tjetër, ata komunistë, të gjithë ideologjikisht të dashuruar pas Shqipërisë pavarësisht në se kanë qenë italianë, francezë, anglezë ose gjermanë, kanë himnizuar në epoka të ndryshme.

Të tjerë përkundrazi e kanë trajtuar Shqipërinë në mënyrë negative, duke vënë në pah gjendjen e saj si të një periudhe parahistorike ose ballkanizimin e paftillueshëm me intriga, ksenofobi, anarki politike.

Shqipëria ka qenë për shumë vetë një prizëm, përmes së cilit kanë projektuar ëndrrat ose ankthet e tyre. Shqipëria ka qenë toka e njeriut të lirë ose e njeriut barbar; e ‘’njeriut të ri’’ ose e njeriut primitiv; e lirisë ose e tiranisë, e komunizmit të realizuar ose e gulagut te pragu iderës.

Shqiptarët kanë ndikuar fuqimisht për përhapjen e mitit të tyre. Thonë se janë ‘’populli më i lashtë i Europës’’ ose së paku ‘’populli më i lashtë i Balkanit’’. Ilirët e lashtësisë qenkëshin pa asnjë periudhë ndërprerjeje shqiptarët e sotëm.

Në luftën e dytë botërore disa drejtues shqiptarë u bënin qejfin gjermanëve duke deklaruar se ishin ‘’arianët e Ballkanit’’. Vitet e shkuara ndonjë nënpunës gjerman i bashkëpunimit habitej në Shkodër, kur dëgjonte t’i pohonin gjithë po këtë besë ariane. ‘’Ilir’’ dhe ‘’Arjan’’ janë dy emra shqiptarë tipikë për periudhën e re nacionalkomuniste.

Zanafilla ilire ishte dhe mbetet politikisht e dobishme për shqiptarët, po të mbahen pretendimet territoriale me popujt fqinj.

Edhe serbët, grekët, maqedonët, bullgarët i kërkojnë me kënaqësi të parët e tyre në epoka sa më të lashta që të jetë e mundur. Dhe kur mundësitë janë të kufizuara, sllavët e parë kanë mbërritur siç dihet në Ballkan në shekullin e VII, atëherë vënë në skutim lashtësinë e të tjerëve. Në Beograd lidhja midis ilirëve dhe shqiptarëve është vënë kurdoherë në dyshim.

Përkundrazi në Athinë ekziston prirja për të mos bërë dallime midis ilirëve të lashtë dhe popullsive të lashta Helene.

Nuk mund të thuhet se në ç’masë shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve ose të fisit tjetër të afërt me ta, dardanëve. Gjuha, kjo vërtet unike, as serbe, as greke, duket se dëshmon një zanafillë etnike origjinale.

Pa dyshim për shqiptarët vlen ajo që do të mund të thuhej edhe për popujt e tjerë ballkanikë: pastërtia etnike nuk ekziston.

Në trojet iliro-shqiptare kanë ardhur dhe kanë jetuar për një kohë të gjatë grekë e romakë, fise të ndryshme barbare, bizantinë, venecianë, bullgarë, serbë, malazezë, normanë, turq, anzhuinë, hebrej, ciganë, vllehë, italinë.

Fizionomitë dhe tiparet e shqiptarëve, të plazmuara deri diku nga mënyra dhe niveli i jetesës, janë aq të larmishme sa që përjashtojnë shartimin mekanik të një etnie të pastër shqiptare në një trung gjithaq të pastër ilir.

Një tjetër shtyllë e besimit te shqiptaria mbështetet në të qenit një popull luftarak. Pa dyshim populli shqiptar është përfshirë në shumë luftëra, ka praktikuar në masë zanatin e armëve, ka qenë i detyruar të mbrohet nga orvajtjet e vazhdueshme për ta pushtuar dhe asimiluar.

Kjo histori luftrash ka lënë mbresë në vetëpërfytyrimin e shqiptarëve si luftëtarë të pashtruar, që gjithmonë luhaten midis pathyeshmërisë dhe fatit të keq.

Nga viti 1912 deri në vitin 1920 Shqipëria njeh njërin pushtues pas tjetrit: grekët, serbët, austriakët, italianët, francezët, bullgarët. Disa janë haptazi pushtues, të tjerët hiqen si miq por kanë megjithatë synimin për të vënë nën kontroll vendin.

Në periudhën midis dy luftrave botërore Shqipëria mbetet në qendër të politikave ekspasioniste jugosllave, italiane dhe greke. Në vitin 1939 ndodh pushtimi Italian. Pas 8 shtatorit 1943 gjermanët u zënë italianëve vendin e pushtuesit.

Fill pas luftës Titoja desh ta bënte Shqipërinë një provicë të së ëndërruarës federatë ballkanike, pra të perandorisë së vet. Enver Hoxha mezi arrin të ruajë pavarësinë e vendit.

Në vitet 1949-51 amerikanët dhe anglezët e kthejnë Shqipërinë në bankoprovë të përmbysjes së një regjimi filosovjetik, duke synuar të nxisin guerrilje brenda vendit. Në se këto janë ngjarjet e Shqipërisë historike, pra të shtetit të Tiranës, shqiptarët jashtë kufijve janë në mëshirë të popujve dhe shteteve të tjerë.

Por epoka e Skëndërbeut (1405-1468) mbetet në qendër të bisedave për luftë të shqiptarëve. S’ka rëndësi fakti që kujtimi i tij për shekuj me radhë është ruajtur më shumë në Perëndimin e krishterë se sa në Shqipërinë e osmanizuar. Skënderbeu është një model shqiptarie, një shkurtore e sistemit shqiptar të vlerave.

Skënderbeu ashtu si dhe shqiptarët gjatë gjithë historisë, kalon nëpër besime të ndryshme fetare duke filluar me katolicizmin, myslimanizmin në periudhën e fëmijërisë pranë osmanëve dhe gjatë shërbimit ushtarak për gjysmëhënën, së fundmi përsëri i krishterë në luftën antiturke.

Vetëm emri Skënderbe shpreh krishtërimin e myslimanizmin bashkë: emri mysliman Skënder vjen nga Iskander, Aleksandër, me shtojcën bej, që është titull nderi për turqit.

 

Njëlloj si popujt e tjerë ballkanas edhe populli shqiptar ka një ndjenjë të theksuar viktimizimi. Njëlloj si popujt e tjerë ballkanas edhe populli shqiptar e sheh historinë e vet si një histori të tragjedive të mëdha.

Protonacionalizmi shqiptar formohet mbi bazën e veprave të Vaso Pashës, poetit të shqiptarizmit. Një poemë e njohur e tij e vitit 1880 titullohet Shqipëri, e mjera Shqipëri. Letërsia shqiptare duke filluar nga Vaso Pasha e Gjergj Fishta e deri te Ismail Kadareja është e mbushur me epope luftërash, gjakderdhjesh, atmosferash epike, mitesh popullore, shkurt, plot me etnocentrizëm por edhe me viktimizëm romantik.

Në epokën e Enver Hoxhës viktimizimi shfaqej haptazi në lidhje me periudhën e Shqipërisë osmane. Nën sundimin e gjysmëhënës Shqipëria paskësh qenë lënë pas dore, qeverisur keq, osmanizuar, orientalizuar, ndonëse shqiptarët përbënin një grup të privilegjuar në perandori.

Një popull normal

Është e qartë që shqiptarët nuk janë më të pashoq nga ç’është edhe çdo popull tjetër. I përkasin qyteterimit ballkanik që mund të përcaktohet sidomos në bazë të trashëgimisë së dyfishtë kulturore, bizantine dhe osmane.

Shqiptarët kanë tipare ballkanike të karakterit. Janë të ndjeshëm dhe impulsivë, të vrazhdë dhe të shoqërueshëm në të njëjtën kohë, të etur për të sqaruar se kush do të jetë kreu e kush pasuesi, më tepër njerëz të inatit se sa të mllefit, më tepër hakmarrës se sa mizorë.

 Janë krenarë dhe të panënshtruar, por bien lehtë në dëshpërim në raste fatkeqësish. Janë të bindur ashtu si dhe ballkanasit e tjerë se janë popull i veçantë, mendja dhe ndjeshmëria e të cilit është në fund të fundit e parrokshme nga të huajt.

Gratë kanë pak vend në publik. Kuzhina shqiptare është ballkanike. Ballkanike është pasiguria për jetën, padyshim diçka kjo ngacmuese se sa në ca vende të begata, që janë të siguruar e të mërzitshëm.

Karakteristikë e shqiptarëve është një lloj naiviteti, një qënrim pasiv përballë modernes, një mangësi fryme kritike. Kam vënë re shpesh herë në Shqipëri që filmat merren jo si trillim, por si ngjarje reale, që kanë ndodhur me të vërtetë, a thua se nuk ekziston një skenar, por po jepet realiteti i filmuar drejtpërsëdrejti.

Edhe vetë lajmet qarkullojnë në Shqipëri nëpër dy pista, atë të mjeteve të informacionit dhe atë të popullit: flitet, pëshpëritet, dalin fjalë dhe fantasia kthehet në fakt real, në diçka që ka ndodhur realisht, përderisa të gjithë e tregojnë.

Së fundmi familizmi. Orientimi i shqiptarit në jetën shoqërore varet jo aq nga rrugët institucionale e ligjore se sa nga sistemi i njohjeve familjare e farefisnore.

Shqiptarët tregohen kopetentë e të sofistikuar kur flasin për lidhjet gjinore, nga njëri brez në tjetrin, të të tjerëve dhe për gjëra që kanë të bëjnë me familjet e të tjerëve.

Në itali diçka e ngjashme vihet re në shoqërinë siçiliane(aktualisht më pak se në të kaluarën): në çdo shoqëri farefisnore të varfër historia e fisit është e rëndësishme për të mbijetuar.

Thashetehmet ose, në doni, të qarkulluarit e të dhënave mbi të tjerët përdoret me ëndje nga shqiptarët, shoqëruar me një aftësi për të provuar kënaqësi e për të nxjerrë përfitim nga diçka e tillë, çka është e panjohur për një mendësi evropianoveriore.

 Në të njëjtën kohë ata janë njerëz të mbyllur, mosbesues, të padepërtueshëm nga pikëpamja emocinale dhe nuk ka të njëjtën besnikëri etnike.

Në Shqipëri të qenit shqiptar rrjedh nga të pasurit e gjakut shqiptar. Për shqiptarët kombi është aq i rëndësishëm sa është i dorës së dytë shteti.

Aq është e kërkuar lashtësia e lidhjes etnonacionale sa ç’është e freskët tradita shtetërore, që nga ana tjetër vlen vetëm për afro gjysmën e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit të Tiranës.

Shqiptari për traditë tregon një ndjenjë kolektiviteti e përgjegjësie të përbashkët kundrejt familjes finsore, ndërsa në mjedisin më të gjerë shoqëror e kombëtar sillet në mënyrë individualiste, anarkike, duke shpërfillur të mirën e përbashkët.

Si përfundim, në horizontin shqiptar mungesa e shtetit i përgjigjet hipertrofisë së kombit. Etika e shqiptarëve drejtohet para së gjithash ndaj mjedisit vendor, ndaj fisit, familjes, dhe jo ndaj shtetit e ligjeve të tij.

Solidariteti mbi baza familjare është jetik. Megjithatë nuk kemi të bëjmë me familjen patriarkale të dikurshme, sepse norma tradicionale zakonore e kanunit është luftuar gjatë kohës së komunizmit. Sot ajo mbetet një element i identitetit etnik të mbështetur mbi mitin dhe kujtesën historike, por jo një element që duhet respektuar.

(Marrë nga Shqipëria rrënjët e krizës nga Roberto Morozzo della Rocca )

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!