MENU
klinika

Personazh i qytetit

Në universin e një shkrimtari të ri

10.09.2018 - 15:25

Është vetëm 22 vjeç, por në Korçë e njohin të gjithë si një shkrimtar premtues pas suksesit që ka arritur me botimet e tij të para. Antonio Babliku shfaqi talentin e tij krijues që në moshën 8 vjeçare kur studionte në shkollën “Mësonjtorja e Parë”. Dy mësueset e tij, D.Prifit dhe M.Podas ishin ato që i ushqyen dashurinë për librin nga ku ai gjeti muzën krijuese që do e shpaloste më pas publikisht në vitet e shkollës së mesme, në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”

“Krijimi im i parë ishte nje poezi që krijova për motrën time më të vogël. Më kujtohet që ishte një detyrë shtëpia që mësuesja na e la në klasë të gjashtë. Një vit më parë, kisha filluar të mendoja histori ku bashkoheshin të gjithë personazhet e preferuar të filmave/serialeve/librave që kisha lexuar me ëndje dhe shkruaja vetëm sinopset e tyre, të ndara nëpër episode. Pastaj, nisur nga kjo dëshirë për të rrëfyer histori fantastike dhe heroike, lindën disa krijime, skica që më pas do shëndrroheshin në libra.

I pari që spikati në moshën 12 vjeçare ishte për librin tim të parë “Magjise Universale”, të cilin mu desh 10 vjet për ta përfunduar pasi kisha nisur ta shkruaja”. Motivet që kryesisht trajtohen në veprat e tij, thellësisht të miksuara me fantazinë, i takojnë jetës, së mirës dhe së keqes e shpesh marrin trajta simbolike, alegorike e pse jo edhe groteske. Mes shumë skenareve dhe projekt-ideve të hedhura në letër, së shpejti doli në dritë vëllimi i plotë i mirëpritur gjerësisht nga lexuesi. Një vepër e realizuar e që të mban mbërthyer.

“Ka të bëjë me luftën mes së mirës dhe së keqes. Imagjino sa tema mund të trajtohen me këtë shprehje klishe, “e mira kundër së keqes”. Personazhet, Roberti dhe Serena kanë një lidhje të fortë si motër e vëlla, të cilët kalojnë nëpër sfida të shumta qoftë magjike qoftë jomagjike dhe ndryshojnë. Seria është konceptuar që të tregojë përvojën e rritjes dhe luftën e vazhdueshme që bëjmë kundër hijeve tona. Por përgjatë gjithë sagës letrare, trajtohen edhe çështje të rëndësishme të botës reale, si seksualiteti, çrregullimet ushqimore, problemet e shëndetit mendor, përdorimi i alkoolit dhe drogave. Një nga subjektet që mbetet e preferuara ime, është dashuria e pastër që kanë për njëri-tjetrin dy personazhe nga kampi armik.”- tregon Antonio.

Në po të njëjtin prizëm, Antonio si një prej talenteve më të reja të Korçës pret edhe kritikat dhe përshtypjet që krijimtaria e tij ngjall tek lexuesi.

“Magjia Universale është historia me të cilën jam rritur dhe dua të jetë në formën e saj më perfekte, kështu që sado të më përkedhelin sedrën vlerësimet pozitive, janë shumë të vlefshme kritikat që më thonë se duhet të ndreq këtë apo atë gjë. I mbaj parasysh sa herë që jam duke shkruar ose duke korigjuar nje liber.” – shprehet 22 vjeçari.

Antonio nuk i kushton kohën veç librit artistik. Mes punës intensive në universitet dhe asaj si shkrimtar i ri, Antonio zbulon nje grimë nga projekti i ri me të cilin po punon, rishikimin e vëllimit të dytë të “Magjise Universale”. Saga mesa duket vazhdon.

“Nje histori tjetër eshte e vendosur në qytezën ku jetojnë personazhet e “Magjisë Universale”, por në fundin e viteve 1800. Po punoj mbi nje histori që merret me jeten e disa nxënsve të një gimnazi, studenteve universiteti dhe te disa profesorëve të tyre në një kampus të madh, të mbushur me dramaticitet dhe komedi dhe shpresoj që shumë shpejt të filloj punën edhe me një libër të tipit mister noir, me një fantazi epike dhe, një ide që e kam prej një viti, një fantazi urbane e vendosur nëqytetin e Korces.” -zbulon Antonio. E me këtë ai u transmeton të gjithë të rinjve të apasionuar ndaj letërsisë e krijimtarisë një mesazh po aq universal sa edhe romanet e tij.”

Të lexojnë dhe të shkruajnë. Të mos fshijnë asnjë fjalë nga një dorëshkrim, sado i kotë dhe pa vlerë mund t’u duket në një moment. Të shkruajnë atë që duan dhe atë që mendojnë, pavarësisht mendimeve të të tjerëve. Mbi të gjitha, të besojnë në ate që shkruajnë.”

Përgatiti: L.S.