MENU
klinika

Dossier

Nëpër tunelet e luftës së ftohtë

03.09.2018 - 13:26

Qafa e pazarit është një nga vendet më të frekuentuara nga vizitorët, jo vetëm si një nga zonat tradicionale të qëndisur nga gurgdhëndësit, por edhe për dyqanet me produkte artizanale gjirokastrite, por pakkush e di se poshtë këmbëve të tij ka një copëz historie të fshehur në tunelet e nëndheshme të qytetit.

Hyrja per ne tunelin e Gjirokastres

 

Poshtë kalldrëmeve të një prej rrugicave kryesore të Gjirokastrës ndodhet një labirinth i ndërtuar me hekur e beton të cilësisë së parë, fryt i mendësisë bunkeriste të regjimit komunist, udhëheqja e të cilit kishte ngritur një strehë të fortifikuar në rast të një sulmi nga imperialistët-revizionistë, siç identifikoheshe asokohe fuqitë e Perëndimit. Por cila ka qenë historia e kësaj rezidence të nëndheshme betoni të ngritur në vitet më të ashpra të Luftës së Ftohtë?

                                                Historiku

Gjirokastra nisi ndërtimin e këtij bunkeri gjigand që ka një shtrirje rreth gati 1 km. Hyrja në këtë rezidencë të nëndheshme bëhet nga tre porta të cilat shërbejnë edhe për daljen prej objektit. Dy prej këtyre portave ishin planifikuar për hyrjen në kohë rekord të kuadrove të Komitetit të Partisë, duke u lidhur përmes tuneleve të nëndheshme me atë godinë që sot njihet si Bashkia e Qytetit, ndërsa tjetra lidhet me komitetin ekzekutiv dhe fundit porta dalëse poshtë kalsë së qytetit, e cila konsiderohet si dalje emergjence.

Punimet për ndërtimin e këtij qytet-tuneli kanë nisur në fund të viteve ‘70 dhe vlera monetare me kursin e ditëve te sotme do të konvertohej në miliona euro. E kompletuar me rreth 80 dhoma, në çdo portë gjen të ruajtur ende sot e kësaj dite mbishkrimin e funksionit për të cilin ato janë krijuar. Duke nisur që prej zyrës së kryetarit,sekretarit, Postë-Telekomit, Prokurorisë, Gjykatës, Shtabi Ushtarak e deri tek Sektori i Bujqësisë shumë lehtë kuptohet se aty përqëndrohej gjithë pushteti nga ku do të jepeshin edhe urdhrat strategjikë në rast lufte.

I ndërtuar për t’u mbrojtur nga një sulm bërthamore, tuneli i nëndheshëm ofronte kushte shumë të mira për një qëndrim në kohë të gjatë. Ndaj ishte menduar në cdo detaj, rezervat ushqimore, dhoma që siguronte furnizimin me ujë, si dhe një gjenerator gjigand që do të mundësonte furnizimin me energji, në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Salla e mbledhjeve ndodhet në “zemër”të këtij tuneli me qëllim që të gjithë personat që qëndronin brenda zyrave përkatëse të mblidheshin direkt, pa pasur nevojë të endeshin nëpër korridore. Edhe kjo me gjasë një tjetër procedurë sigurie.

Hyrja e jashtme e tij që aktualisht ndodhet ngjitur me bashkinë e qytetit duket nga jasht se është lehtësisht e kalueshme, por pas portës së vjetër të hekurt, janë vendosur 4 dyer të hermetizuara totalisht të cilat konsideroheshin të pakapërcyeshme. Në ditët e sotme, askush nuk di të thotë për numrin e punëtorëve të angazhuar në ndërtimin e tij, inxhinierëve apo arkitektëve. Gjithçka është ruajtur sekret që nga koha e diktaturës, dhe vijon të ruhet paradoksalisht si i tillë nga gjirokastritët, që historia u ka mësuar të vlerësojne dhe respektojnë atë çka me gjasë duhet të mbetet ende pas më shumë se 40 vjetësh e paditur për publikun.

                                  Ideja e kthimit ne muze

Misteri e bën edhe më atraktiv këtë rezidencë të nëndheshme, aq sa të shëndrrohet në një destinacion turistik të qytetit. Prej kohësh pushteti vendor ka punuar për ta bërë të aksesueshme këtë qytet- tunel, kjo duke u bazuar edhe në eksperiencën e fituar kryesisht nga ish vendet komuniste te Bllokut te Lindjes.

Falë punës së bashkisë Gjirokastër dhe Agjensisë së Kulturës ky muze i Luftës së Ftohtë që ndodhet nën themelet e një tjetër monumenti, Kalasë Argjiro, po tërheq gjithnjë e më tepër vëmendjen e turistëve të cilët në shumicën e rasteve largohen të habitur nga ajo me të cilën njihen apo kur mësojnë se guida e tyre turistike rrugëton në kalldrëmet e zonës muzeale, pikërisht mbi këtë tunel. Në total bëhet fjalë për rreth 4500 persona që kanë vizituar objektin në dy muajtë e fundit.

                                             Mungesat në muze

Pavarësisht numrit të lartë të vizitorëve e vërteta është se në mjediset e brendshme të muzeut mund të gjesh pak detaje apo sende që i takojnë asaj periudhe. Disa tablo të kohës, vepra të diktatorit apo mobilje modeste të lënë të kuptosh se i takojnë asaj periudhe.

Të gjitha materialet që ndodheshin brenda tij konsideroheshin të rëndësishme, ndaj në vitet e fundit të shkërmoqjes së rgjimit, mësohet se me një urdhër sekret janë zbrasur të gjitha mjediset duke u zhvendosur materialet, dhe duke lënë atë çka mund të cilësohej për kohën si “e padëmshme”. Për të mos harruar se gjatë vitit famëkeq 1997 u fshinë edhe ato pak gjurmë që ishin lënë.

Pavarësisht këtij fakti nga ana e drejtuesve të Agjensisë së Kulturës por dhe Bashkisë Gjirokastër, bëhet me dije se po punohet për të siguruar materiale të cilat do të kenë peshën e asaj kohe për tu vendosur në rezidencën -tunel për ta kompletuar në përputhje me qëllimin për të cilin ai është hapur, Muzeu që demonstron një pjesë të historisë së Luftës së Ftohtë në një nga vendet e fundit që i mbeti besnik marksizëm-leninizmit në formën e tij më të egër.

Përgatiti: E.B.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dossier: “Majestic” në 9 dekada

Epopeja e një kinemaje


Çfarë u gjet brenda automjetit të autorëve?

Breshëri plumbash drejt 30-vjeçarit, detaje nga atentati

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Dëmtohen të mbjellat dhe ura lidhëse mes fshatrave

Përmbyten tokat nga reshjet e shiut në Divjakë