MENU
klinika

Dosier

Të pafsha tek 7 penxheret!

27.08.2018 - 16:22

Në Gjirokastër çdo mallkim ka pas nga një histori, por më rrëngjethësja nga të gjitha është ajo e burgut të 7 penxhereve.

Jo më kot kur dikush në qytet të lëshonte mallkimin “Te pafsha tek 7 penxheret”, i madh e i vogël niste të dridhej dhe jo më kot. Nuk ka njeri në Gjirokastër që të mos e di tmerrin brenda mureve të burgut të ndërtuar brenda kalasë Argjiro.

I ndertuar me urdhër të mbretit Zog në vitin 1932, Burgu, prej të cilit duken nga pjesa ballore vetëm 7 dritare, apo penxhere sipas turqizmave të trashëguara nga periudha otomane, u inaugurua me një festë madhështore, sikur të bëhej fjalë për një altar dasme e jo për një vend mënxyre ku do të humbnin jetën nga torturat me qindra njerëz.

Burgu i kalasë Argjiro u ndërtua me gurët e nxjerrë nga prishja e ujësjellësit të ndërtuar gjatë periudhës së Ali Pashës. Në të numërohen 51 qeli të ruajtura siç kanë qenë, me muret e mbushura me mbishkrimet e lëna nga të burgosurit. Në këto qeli kanë vuajtur dënimin mjaft njerëz përgjatë trë periudhave të ndryshme: zogist, nazist dhe në fund gjatë komunizmit ku ruajti funksionet deri në vitin 1968. Megjithëse tashmë është një muze, dhe në korridoret e tij të ngushta nuk dëgjohet tingulli i dyerve të hekurta, por në fakt kjo heshtje të fut edhe më shumë drithërimat.

Paçka se vetëm një pjesë e tij është e hapur për turistët për shkak të lagështirës së madhe që ka përfshirë mjediset e tjera, nga kundrimi i qelive dhe mjeteve të torturave mund të ndjesh se deri ku arrin imagjinata e njeriut për t’i shkaktuar dhembje përmes torturave të ngjashmit të tij.

Në dritën e zbehtë që hyn nga frëngjitë e dritareve të vogla, arrin të shquash njollat e lagështirës, ndërsa klithmat e vuajtjeve mund t’i ndjesh teksa sheh bustet e dy heroinave; Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Të dyja pjesë e rezistencës antifashiste të cilët iu nënshtruan torturave më çnjerëzore të nazistëve. Klithmat e tyre i kujtojnë ende sot e kësaj dite ata që rrojnë ende, e që në periudhën e Luftës së Dytë Botërore kanë qenë fëmijë kur dëgjuan sesi u kapën dhe u torturuan dy bijat e Gjirokastrës.

QELIA E VDEKJES

Gott mit uns” – “Zoti qoftë me ju”. Me këtë mbishkrim mi pragun e portës në gjuhën gjermane e kupton se ndodhesh përballë Qelisë së Vdekjës. Kush kalonte këtë prag ishte i sigurt se nuk do të dilte më i gjallë që andej. Në një hapesirë shumë të vogël, kjo qeli ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të bëntë të dëshiroje vdekjen si shpëtimin e vetëm.

Torturat e xhelatëve nuk ishin i vetmi burim vuajtje. Qelia mbushej në dimër me ujë të ftohtë ndërsa gjatë verës me ujë të nxehtë. Të burgosurit qëndronin me ditë të tërë brenda, duke provuar kështu dhe rezistencën e gjithësecilit. Në ditët e sotme dëshmi e këtyre torturave janë vetëm mbishkrimet në mure dhe ky mjet torture (shiko foton e mëposhtme) ku të burgosurit torturoheshin duke u rrotulluar pambarimisht.

TË EKZEKUTUARIT

Në gjithë jetëgjatësinë e këtij burgu famëkeq numri i viktimave ka qënë tepër i lartë, por ende nuk ka një statistikë të saktë për numrin e tyre. Evidenca statistikore nuk ka dhe askush nuk di të thotë në Gjirokastër nëse ka pasur ndonjëherë të tilla, por në kujtesën e njerëzve kanë mbetur klithmat që llahtarisnin qytetin. Mbyllja e tij në vitin 1968 u bë më qëllim shëndrrimin e një pjesë të ambjenteve në Muzeun e Armëve të ngritur fare pranë tij. Hapja e Burgut të 7 penxhereve është një motiv më shumë për t’u njohur me misteret që mbart Kështjella Argjiro.

Përgatiti: E.B.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Beteja e monumenteve me kohën

Thellohen çarjet në muret e “Argjiros”


Rama ndan pamjet e atmosferës festive

Saranda ndez dritat e festave!

Bashkia, njoftim të rëndësishëm për qytetarët

Vlora në pritje të reshjeve të dendura

Sa do paguajnë qytetarët

Rritet çmimi i ujit për 12 bashki

“Travel off Path”: Shqipëria, parajsa mesdhetare

Vlora, qyteti bregdetar i mbushur me brigje mahnitëse

Një prej lumenjve të egër dhe të fundit të Evropës

BBC: Udhëtimi 200 km me kajak përgjatë Vjosës